Ndërlidhjet

Kosova ka pasur "progres të kufizuar" në reformat e lidhura me BE-në


Flamuri i Kosovës dhe ai i Bashkimit Evropian.

Kosova ka pasur progres të kufizuar në reformat e lidhura me Bashkimin Evropian, kryesisht për shkak të situatës jostabile politike, me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe dy ndërrime të qeverisë, si dhe nevojës për përballje me pandeminë. Kështu thuhet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, që pritet të miratohet të martën pasdite në Bruksel.

Në të përshkruhet situata politike prej kur Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, e deri te kriimi i Qeverisë së Avdullah Hotit, pas rrëzimit të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Komisioni kësaj radhe i ka dhënë vërejtje serioze Parlamentit të Kosovës për të cilin pohon se “në periudhën që përfshin ky raport, nuk ka përmirësuar performancën e përgjithshme si një forum për dialog konstruktiv politik, siç është demonstruar dukshëm nga mungesa e kuorumit”. Shtohet se "në legjislaturën e re, megjithatë ka pasur përmirësime sa i përket organizimit të punës së kuvendit".

Sa i përket procesit zgjedhor, ai vlerësohet në përgjithësi si transparent dhe i administruar mirë, megjithëse ka pasur dobësi në procesin e numërimit të votave.

Edhe kësaj radhe përmendet se në mesin e komunitetit serb ka pasur frikësime të kandidatëve, të cilat nuk ishin nga Lista Srpska. Situata në veri të Kosovës vlerësohet si “sfiduese”, në veçanti sa i përket krimit të organizuar, korrupsionit dhe kushteve për liri të shprehjes.

Në shumicën e fushave vlerësohet se Kosova ka bërë vetëm progres të kufizuar, si në administratën publike ashtu edhe në sistemin e gjyqësorit. Shtohet se është bërë përparim i kufizuar sa i përket rritjes së transparencës në administratën publike dhe në procedurat e prokurimit publik.

"Koordinimi i dobët qendror dhe ndërministror vazhdon të jetë sfidë për zbatimin e reformave në përgjithësi. Gjatë periudhës së raportimit, rekrutimet pa meritë vazhdojnë të jenë shqetësim, ndërkaq politikëbërja gjithëpërfshirëse e bazuar në prova është penguar nga vendimet ad hoc, shpesh të ndikuara nga interesat e posaçme", thuhet në raport.

Vlerësohet se gjyqësori është ende i ndjeshëm ndaj ndikimit të panevojshëm politik.

Sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit thuhet se Kosova është “në fazën e hershme” në këtë fushë, ndonëse përmendet se autoritetet kanë kryer disa aksione në këtë drejtim.

"Korrupsioni është i përhapur dhe vazhdon të jetë një shqetësim serioz. Nuk ka vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin si dhe një përgjigje të fuqishme të sistemit juridik ndaj korrupsionit të nivelit të lartë", thuhet ne raport.

Sa i përket kriterit ekonomik, Kosova, sipas Komisionit Evropian, është në fazë të hershme dhe ka bërë përparim të kufizuar në zhvillimin dhe funksionalizimit të ekonomisë së tregut. Rritja ekonomike, sipas Raportit, ka vazhduar më 2019, por situata e vështirë në tregun e punës dhe mungesa e diversifikimit ekonomik, vazhdon të jetë sfidë, theksohet në raport. Ndërkaq, në Raporti i Progresit i Komisionit Evropian vlerëson se cilësia e arsimit në Kosovë vazhdon të jetë në "nivel shqetësues".

Në këtë Raport, nga Kosova kërkohet po ashtu që të vazhdojë angazhimin në dialog me Serbinë drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila më pas do të mundësonte avancimin në rrugën evropiane.

Sa i përket përafrimit me standardet evropiane, sipas Komisionit Evropian, Kosova ka një nivel të përgatitjes në këtë aspekt. Përafrimet e ligjeve me ato të BE-së kanë vazhduar në disa fusha, por siç theksohet në raport, zbatimi i tyre është i dobët. BE-ja vlerëson se Kosova ka bërë përparim sa i përket fushës së taksave, përfshirë edhe atë të mbledhjes së të ardhurave.

Po ashtu, përparim është vërejtur edhe në lëvizjen e mallrave, shërbimeve e kapitalit si dhe në shërbimet financiare dhe të prokurimit publik. Përparim është regjistruar edhe në fushën e energjisë, veçanërisht në masat për energji efiçiente në sektorin publik dhe një rritje e investimeve në burimet e energjisë së ripërtërishme.

“Në përgjithësi, Kosova ka nevojë të përmirësojë kapacitetin administrativ dhe koordinimin në të gjithë sektorët, për të siguruar në zbatim të ligjeve të BE-së”, thuhet në raport.

Ndryshe, Paketa e zgjerimit, që përmban strategjinë e BE-së për këtë proces dhe raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, miratohen dhe publikohen një herë në vit.

Në to vlerësohen të arriturat në të gjitha këto vende sa i përket përafrimit të legjislacionit me BE-në, progresi në fusha të caktuara, por aty paraqiten edhe mangësitë të cilat i identifikon Komisioni Evropian.

XS
SM
MD
LG