Ndërlidhjet

Rusia ndal bisedimet për rrëzimin e aeroplanit të kompanisë Malaysia Airlines


Ilustrim.

Rusia ka thënë se ka vendosur të ndalë konsultimet me Australinë dhe Holandën për rrëzimin e një aeroplani të pasagjerëve të linjës Malaysia Airlines në lindje të Ukrainës, më shumë se gjashtë vjet më parë.

Qeveria holandeze ka dërguar Rusinë në gjyq në muajin korrik për rolin e dyshuar të saj në këtë tragjedi.

“Veprime të tilla aspak miqësore nga ana e Holandës i bëjnë të pakuptimta konsultimet tona trepalëshe”, ka thënë Ministria e Jashtme e Rusisë të enjten.

Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, ka thënë përmes një postimi në Twitter se Holanda “ndjen keqardhje për këtë vendim. Është jashtëzakonisht i dhimbshëm për të mbijetuarit”.

Fluturimi MH17 ishte penguar nga Amsterdami për në Kuala Lampur përmes një raketë ruse të llojit Buk, tokë-ajër, e cila është thënë të jetë nisur nga territori i kontrolluar prej separatistëve të mbështetur nga Moska, në lindje të Ukrainës.

Gati dy të tretat e 298 viktimave kanë qenë me kombësi holandeze.

Pas hetimeve gjashtëvjeçare, prokurorët kanë argumentuar se aeroplani është rrëzuar nga sistemi raketor Buk, i nisur nga luftëtarët separatist të mbështetur nga Rusia.

Sipas tyre, këto pajisje janë siguruar nga baza ushtarake ruse në kufirin mes dy shteteve.

Katër të dyshuarit, rusët Sergei Dubinsky, Oleg Pulatov dhe Igor Girkin, si dhe ukrainasi Leonid Kharchenko janë duke u gjykuar në mungesë nga gjykata e Hagës, për përfshirje në tragjedi.

Të afërmit e të paktën 65 viktimave holandeze, kanë bërë ankesë më 2018 në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ministria e Jashtme hondaleze ka njoftuar më 10 korrik se qeveria ka nisur ankesë kundër Rusisë në gjykatën me bazë në Strasburg, me qëllim të ofrimit të “mbështetjes maksimale për rastet e këtyre individëve”.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme ruse dhe Moska, janë pajtuar më 2018 që të zhvillojnë konsultime trepalëshe “për të ndihmuar në zbulimin e shkaqeve të vërteta” të rrëzimit.

“Megjithatë, Australia dhe Holanda nuk kanë tentuar të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë… mirëpo vetëm kanë tentuar të fajësojnë Rusinë dhe të pranojnë kompensim për familjarët e viktimave”.

Moska ka mohuar përfshirjen në konflikt në zonat e lindjes së Ukrainës dhe ka ofruar disa teori të mundshme sesi aeroplani mund të jetë rrëzuar, duke përfshirë edhe skenarët sikur ai që pajisja mund të jetë rrëzuar nga forcat ajrore ukrainase apo forcat tokësore të Ukrainës që përdorin sistemet Buk.

XS
SM
MD
LG