Ndërlidhjet

Komiteti i Gjyqësorit mbështet të nominuarën e Trumpit për Gjykatën Supreme


Gjyqtarja Any Coney Barrett.
Gjyqtarja Any Coney Barrett.

Komiteti i Gjyqësorit i Senatit amerikan ka votuar për dërgimin e emrit të Any Coney Barrett për votim në Senatin amerikan.

Barrett është e nominuara e presidentit amerikan, Donald Trump për gjyqtare në Gjykatën Supreme.

Kreu i Komitetit të Gjyqësorit, republikani Lidsey Graham dhe 11 republikanë të tjerë votuan në favor, që nominimi i Barret të dërgohet në Senat për votim. Votimi për këtë gjë në Komitet ishte unanim, pasi dhjetë demokratët, që janë pjesë e këtij komiteti, bojkotuan seancën, duke thënë se nominimi i Barrett dhe seancat dëgjimore “ishin një proces mashtrues që nga fillimi”.

Demokratët fuqishëm kundërshtojnë nominimin e Barrett, e cila është një gjyqtare që favizohet nga konservatorët.

Nëse nominimi i Barrett konfirmohet, ajo do të shërbejë përjetë në Gjykatën Supreme dhe në këtë institucion të drejtësisë në SHBA do të ndryshonte balanca, ku 6-3 do të bëhej një shumicë për konservatorët, që mund të afektojë drejtimet ideologjike të vendit për dekada me radhë.

Megjithatë, demokratët mund të bëjnë shumë pak që të ndalojnë miratimin e Barrett nga Senati, ku republikanët kanë shumicën.

Votimi për këtë çështje në Senat është caktuar për 26 tetor.

Nominimi i Barrett për Gjykatën Supreme, vjen pas vdekjes së gjyqtares liberale, Ruth Bader Ginsburg, e cila ndërroi jetë në shtator.

Demokratët thonë se nominimi i gjyqtares Barrett është jolegjitim, pasi ky proces po ndodhë pak para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, duke argumentuar se republikanët dëshirojnë që Barrett të bëhet gjyqtare e Supremes, në mënyrë që të mund të marrë pjesë në një rast të rëndësishëm që kjo gjykatë po trajton, e që ka të bëjë në reformat në sistemin shëndetësor.

XS
SM
MD
LG