Ndërlidhjet

Kryeministri çek kërkon dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë


Ministri çek i Shëndetësisë, Roman Prymula.

Kryeministri çek, Andrej Babis, tha se do ta shkarkojë ministrin e Shëndetësisë, Roman Prymula, nëse ai nuk jep dorëheqje për mbajtjen e një takimi në një restorant të mbyllur, nën masat e qeverisë për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Skandali vjen në kohën kur Qeveria çeke po lufton për të ngadalësuar rritjen e numrit të rasteve me koronavirus - aktualisht më të shpejtën në Evropë.

"Kur stafi ynë mjekësor po lufton në vijën e parë për të shpëtuar jetët e bashkëqytetarëve tanë, një gjë e tillë është absolutisht e pafalshme", u tha Babis gazetarëve.

Skandali shpërtheu të premten kur gazeta Blesk publikoi fotografi të ministrit Prymula duke dalë nga një restorant dhe duke hyrë në makinë pa maskë.

Me masat kundër koronavirusit në Çeki kërkohet veshja e maskës, si në ambiente të mbyllura publike, ashtu edhe në të jashtme, ndërsa restorantet janë të mbyllura.

Prymula, në një intervistë për revistën javore Respekt, të postuar online, tha se ka ndjekur një takim pune që është zhvilluar në një dhomë të një restoranti të mbyllur.

Ai tha se ka veshur maskën brenda makinës.

Përpara komenteve të Babisit, Prymula tha se do të japë dorëheqje nëse kjo është dëshira e publikut.

Prymula, 56 vjeç, është epidemiolog dhe kolonel rezervë i ushtrisë.

Ai e ka marrë detyrën e ministrit rreth një muaj më parë.

Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, raportoi të enjten shifrën më të lartë ditore të të infektuarve me koronavirus: 14,151.

XS
SM
MD
LG