Ndërlidhjet

Francë: Plagoset një prift ortodoks


Francë, foto nga arkivi.

Një prift ortodoks është plagosur pas të shtënave në qytetin Lion të Francës, tha policia.

Burimet nga Policia u thanë gazetarëve se sulmuesi i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes, raporton BBC.

Ministria e Brendshme Franceze tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë forcat e sigurisë dhe kjo ministri u bëri thirrje njerëzve që të shmangin zonën ku ndodhi incidenti.

Ky incident vjen pasi të enjten, tre persona u vranë në një sulm me thikë në një kishë në qytetin Nicë të Francës.

Presidenti Emmanuel Macron tha se vrasjet në Nicë janë “sulm terrorist islamik” dhe vendosi që të rrisë prezencën e ushtarëve për të mbrojtur vendet publike, përfshirë edhe objektet fetare.

Të shtënat në Lion ndodhën në orën 16:00, teksa prifti ka qenë duke e mbyllur kishën, thanë mediat.

Një burim i tha agjencisë AFP se sulmuesi kishte një pushkë të gjatë.

Prifti i plagosur raportohet se është në gjendje të rëndë, ndërsa agjencia Reuters raporton se ai ka plagë të rënda.

Identiteti i priftit ortodoks nuk është bërë publik, por mediat raportojnë se ai është me kombësi greke.

XS
SM
MD
LG