Ndërlidhjet

Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se po kryen operacione në Prishtinë


Policë të EULEX-it pranë shtëpisë së Jakup Krasniqit.
Policë të EULEX-it pranë shtëpisë së Jakup Krasniqit.

Sevdije Krasniqi, bashkëshortja e ish- kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione se përse është duke u kryer operacion në shtëpinë e tyre. Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, njoftojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.

Sipas Sevdije Krasniqit, operacioni ka filluar në orën 5:30.

“Nuk na kanë ofruar kurrfarë dokumenti. Kështu që, nuk e dimë se cili është qëllimi ose arsyeja e ardhjes në shtëpinë tonë”, tha ajo.

Ndërsa e pyetur se a është në dijeni nëse do të arrestohet Krasniqi, i cili gjendet në shtëpinë e tij, ajo tha se ende nuk di asgjë dhe nuk e di arsyen e bastisjes.

Ndryshe, sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ata kanë shtuar se detaje të tjera lidhur me këto operacione do të jepen më vonë.

Veturat e EULEX-it pranë shtëpisë së ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Veturat e EULEX-it pranë shtëpisë së ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Sipas informacioneve nga terreni, një operacion është duke u zhvilluar edhe në vendlindjen e Krasniqit, në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.

Krasniqi, i cili nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është intervistuar në korrik të vitit të kaluar, ka qenë zëdhënës si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale”, pati deklaruar Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pasi e kishte marrë ftesën për intervistim.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu arrestimin e parë në Kosovë në muajin shtator. Më 24 shtator, Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së për Zonën e Llapit u arrestua në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës.

Aktakuza e ngarkon Mustafën për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Gjatë seancës së mbajtur më 28 tetor, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.

XS
SM
MD
LG