Ndërlidhjet

Meta vlerëson dorëheqjen e Thaçit pas konfirmimit të aktakuzës


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Presidentin i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar dorëheqjen e Hashim Thaçi nga posti i presidentit të Kosovës, pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar.

“Vlerësoj aktin e dorëheqjes së presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike”, ka shkruar Meta.

Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë konfirmuar aktakuzën kundër, presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit menjëherë pas konfirmimit të akakuzës. Ngjashëm ka vepruar edhe Kadri Veseli, i cili ka njoftuar se ka vendosur që të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë të zgjasë ky proces.

Të mërkurën edhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi iu është konfirmuara aktakuza dhe tashmë janë transferuar në Hagë.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG