Ndërlidhjet

Veseli sot do të dalë para Dhomave të Specializuara


Kadri Veseli. Foto nga arkivi.
Kadri Veseli. Foto nga arkivi.

Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli të martën bën paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndaj tij rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Seanca pritet të nisë në orën 15:00 dhe do të jetë publike.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Veseli, i cili u arrestua më 5 nëntor dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë, dyshohet për vepra penale që kanë të bëjë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Veselit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor. Veseli, ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 5 nëntor, njoftoi për konfirmimin e aktakuzës dhe tha se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet publike dhe politike.

Para Dhomave të Specializuara paraqitjen e parë të hënën e ka bërë ish-presidenti Thaçi, i cili është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Njëjtë është deklaruar edhe ish-kryeparlamentari Krasniqi, i cili e ka quajtur aktakuzën ndaj tij si “padrejtësi të madhe”.

Të mërkurën para Dhomave të Specializuara do të dalë edhe Rexhep Selimi.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG