Ndërlidhjet

PDK: Qeveria Hoti dështoi në menaxhimin e shkollave në pandemi


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Partia Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, thotë se Qeveria e Kosovës ka dështuar që të menaxhojë pandeminë e koronavirusit në shkollat e Kosovës, duke mos ofruar masa mbrojtëse.

Sipas deputetit të PDK-së, Sejdi Hoxha, kjo ka bërë që në mesin e nxënësve dhe mësimdhënësve të ketë të infektuar me koronavirusin e ri.

"Sot shkollat në Kosovë nuk janë të furnizuara me dezinfektues, nuk bëhet dezinfektim i rregullt i hapësirave publike në shkolla, nuk dërgohen fare ekipet mjekësore të cilat duhet të përkujdesen për shëndetin e nxënësve, mësimdhënësve, stafit teknik dhe administrativë, si rezultat i këtij moskujdesi virusi po përhapet me shpejtësi të madhe në shumë shkolla anë e kënd Kosovës", u shpreh Hoxha në një konferencë për media.

Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Avdullah Hoti, sipas deputetit Hoxha, edhe pse bëri rishikimin e buxhetit në kohë pandemie, nuk parashikoi mjete financiare shtesë me të cilat do të mund ta rriste nivelin e respektimit të masave mbrojtëse në shkolla.

"Qeveria e mëhershme e Albin Kurtit në kohën e pandemisë la pa inkuadruar në mësim online rreth 32,000 nxënës në Kosovë apo rreth 11 për qind të numrit të përgjithshëm të nxënësve, kryesisht fëmijë të familjeve nën asistencë sociale dhe fëmijë me nevoja te veçanta. Dështim i njëjtë po ndodh edhe me Qeverinë Hoti, e cila u mundua të kamuflojë një strategji të organizimit të mësimit në kohë pandemie përmes tri skenarëve A, B dhe C. Një qeveri që del me tre skenarë, tregon që nuk e ka as edhe një të vetëm", tha ai.

Hoxha ka përmendur një rast që sipas tij në shkollën “Mihal Grameno" në Fushë Kosovë" kanë mbetur pa mësim, rreth 3.400 nxënës.

"Në këtë shkollë për 14 ditë nuk është organizuar fare mësimi, në bazë të një kalkulimi të thjeshtë del që rreth 5.200 orë janë të humbura në mungesë të ofrimit të mësimit online", deklaroi Hoxha.

Ai tha se përveç dështimit të plotë në organizimin e mësimit në pandemi, qeveria aktuale po i politizon tërësisht bordet e universiteteve dhe për këtë paralajmëroi thirrjen e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj në përgjegjësi parlamentare.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë që në këtë vit shkollor, mësimi të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë.

Viti i ri shkollor në institucionet para-universitare në Kosovë, ka filluar më 14 shtator, me prezencë fizike të nxënësve në shkolla, por duke respektuar rekomandimet për mbrojtjen nga pandemia e koronavirusit: mbajtjen e maskës, distancës dhe higjienën personale.

XS
SM
MD
LG