Ndërlidhjet

Moska thotë se ka detyruar largimin e një anije ushtarake amerikane nga ujërat ruse


Anija ushtarake amerikane.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se një anije e marinës amerikane “Arleigh Burke” ka lënë ujërat ruse në Lindjen e Largët, pasi është paralajmëruar se mund të goditet.

Ministria tha në një deklaratë se anija “USS John S. McCain” hyri dy kilometra në ujërat territoriale ruse, më 24 nëntor, dhe u kthye mbrapa pasi mori një paralajmërim nga anija ruse Admiral Vinogradov.

"Anija sulmuese anti-nëndetëse e Flotës së Paqësorit, Admiral Vinogradov, përdori një kanal ndërkombëtar komunikimi për të paralajmëruar anijen e huaj se veprime të tilla ishin të papranueshme dhe shkelësi mund të dëbohej nga ujërat territoriale të vendit. Pasi u dha paralajmërimi dhe anija ruse ndryshoi kursin e saj, anija amerikane u kthye në ujërat ndërkombëtare", tha deklarata.

Një deklaratë nga Flota Amerikane e Paqësorit nuk dha detaje të incidentit, por tha se anija amerikane "shfrytëzoi të drejtat dhe liritë e lundrimit".

Incidente të tilla janë raportuar nga Rusia shpesh në vitet e fundit, pasi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian u përkeqësuan pas aneksimit të Krimesë në Ukrainë nga ana e Moskës më 2014, dhe mbështetjen e saj për separatistët në lindje të Ukrainës.

Shumica e incidenteve konsiderohen si jo kërcënuese.

XS
SM
MD
LG