Ndërlidhjet

KQZ-ja publikon përqindjet e votuesve deri në orën 15:00


Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, ka thënë të dielën se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut janë duke u zhvilluar në atmosferë të qetë dhe të kënaqshme.

“Nuk kemi pranuar informacione për ndonjë parregullsi dhe procesi është duke u zhvilluar normalisht”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Daka ka njoftuar se deri në orën 15:00 në Komunën e Podujevës, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 29,76 për qind e votuesve apo 26,000 persona, derisa në Mitrovicë të Veriut 30,03 për qind e votuesve apo 7,062 persona.

Në garë për të parin e Podujevës janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet në Podujevë, ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të përhapjes së koronavirusit, ky proces u pamundësua.

Mandati i kryetarëve të rinj do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit 2021.

Për dallim prej Podujevës, në Mitrovicën e Veriut garojnë katër kandidatë për kryetar komune.

Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvedosje, Millan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Dushan Millunoviq, i cili është kandidat i pavarur.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, mori dy pozita, atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Rakiq ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate.

XS
SM
MD
LG