Të dashur lexues, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve lidhur me votimin e Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Radio Evropa e Lirë ju falënderon që qëndruat me ne!
Ju vazhdoni të na ndiqni në faqen tonë të internetit evropaelire.org, si dhe llogaritë tona në Facebook, Twitter, Instagram dhe YouTube.
Kancelari austriak uron Hotin
Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz ka uruar Avdullah Hotin për zgjedhjen në postin e kryeministrit të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, kancelari Kurz ka thënë se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe inkurajojmë përparim të mëtejmë në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka shkruar ai.
Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mori besimin e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Qeveria e re e Kosovës është votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.
Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.
Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.
Lajçak "mezi pret" të punojë me Hotin
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë të mërkurën se ka mezi pret të punojë me kryeministrin e ri të Kosovës, Avdullah Hoti, në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Qeveria Hoti është votuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.
“E urova Avdullah Hotin për zgjedhjen e tij në postin e kryeministrit të Kosovës, gjatë bisedës telefonike që patëm sot. Mezi pres të punoj me të në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për perspektivën evropiane për popullin e Kosovës”, ka shkruar në Lajçak në një postim në rrjetin social, Twitter.
Dialogu mes këtyre dy vendeve është pezulluar prej kur autoritetet e Kosovës kishin vënë taksë 100 për qind në mallrat serbe, në nëntor të vitit 2018.
Kryeministri në shkuarje, Albin Kurti ka zëvendësuar këtë masë me reciprocitet më 1 prill të këtij viti, derisa një tjetër vendim për zgjerim të këtij vendimi e ka marrë fundjavën e kaluar.
Në vendim është thënë se mallrat që nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës, nuk do të lejohen të hyjnë në Kosovë.
Lajçak ka reaguar duke thënë se ky masë ka qenë zhgënjyese për të, si dhe ka bërë thirrje për mënjanim të veprimeve të njëanshme, që sipas tij dëmtojnë procesin e rifillimit të dialogut.
Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ambasada britanike përgëzon "formimin paqësor të Qeverisë së re të Kosovës"
Ambasada britanike në Prishtinë ka përgëzuar formimin paqësor të qeverisë së re në Kosovë, si dhe ka uruar Avdullah Hotin për pozitën e kryeministrit.
Megjithatë, kjo ambasadë ka theksuar se qeveria e re do të ketë disa sfida përpara, teksa ka theksuar emergjencën shëndetësore të krijuar pas shpërthimit të koronavirusit të ri.
“Është e rëndësishme që qeveria e re synon të krijojë konsensus dhe unitet përreth ndasive politike”, është thënë mes tjerash në reagim.
Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë Hoti me 61 vota për.