Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës konfirmon se po vazhdojnë gërmimet në Kizhevak


Pamje nga Kizhevaku.

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se përfaqësues të delegacionit të Kosovës, në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kanë vizituar të hënën lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, pas rifillimit të gërmimeve në këtë hapësirë.

“Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë, gjegjësisht punimet në këtë lokacion, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, është thënë në njoftimin e kryeministrisë.

Aty po ashtu është thënë se ekspertët mjekoligjorë kosovarë, do të vazhdojnë të jenë të pranishëm deri në përfundim të procesit të gërmimit.

Më 20 nëntor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka dhënë sqarime lidhur me gjetjen e mbetjeve mortore, më 16 nëntor të këtij viti në Kizhevak të Serbisë, për të cilat dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës.

Përmes një komunikate për media EULEX-i pati thënë që mbetjet mortore janë zbuluar në një gurore të madhe në Serbi, nga ekspertët e këtij misioni, të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur.

Ekspertët e këtij misioni është thënë se kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 dhe në vitin 2020 derisa përparimi është arritur falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peisazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve,” ka thënë Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it.

Lajmin për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak afër Rashkës në Serbi, më 16 nëntor, e pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

Lidhur me dyshimet se mbetjet mortore që u gjetën janë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, Gërxhaliu kishte thënë:

“Mund të konfirmoj se janë eshtra të shqiptarëve të Kosovës, në Kizhevak të Serbisë”.

Deri në gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak, në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare, të dhëna këto të nxjerra nga raporti i Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore dhe të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.

XS
SM
MD
LG