Ndërlidhjet

LDK dhe PDK hedhin poshtë studimin për PE-në


Prishtinë, foto nga arkivi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka quajtur si “manipulim” studimin e bërë për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) në të cilin thuhet se qeveria e Albin Kurti është rrezuar “nga një operacioni dezinformues amerikan”.

Në këtë studim thuhet se mesazhet në rrjetet sociale që vinin nga Isa Mustafa dhe Kadri Veseli (ish-kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës), “posaçërisht kanë nxitur mashtrimin e aferës Grenell (Richard, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

“Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një 'studim' që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska 'akuzuar' si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së”, ka shkruar Mustafa ne rrjetin social Facebook.

“Autorët e 'studimit' shpresoj shumë se do të ballafaqohen me mbështetësit e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe "studimi" i tyre do të përfundoj si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës”, tha Mustafa.

Dokumenti i disa autorëve evropianë (Samuel Greene, Gregory Asmolov, Adam Fagan, Ofer Fridman, Borjan Gjuzelov) shpjegon angazhimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe emërimin e të dërguarit të tij të posaçëm për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.

Në atë thuhet se “i frustruar nga ajo që ai e pa si pengesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Grenelli si duket aranzhoi që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova".

“Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim – i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan – në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti”, thuhet në studim.

Isa Mustafa tha se si kryetar i LDK-së, do t'i drejtohet “partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë "studim", që ai e quajti tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.

Ai shtoi se e vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e “qartë dhe e pastër”, dhe se LDK-ja “i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës”.

“Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Mustafa, duke shtuar se LDK-ja nuk ka mundur të duronte as shkeljen e marreveshjës qeverisëse pas shkarkimit të ministrave të LDK-së nga Kurti.

“Prandaj, LDK-ja reagoi”, tha Mustafa.

Lidhur me këtë raport ka reaguar edhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, duke thënë se “autorët flasin për Kosovën nga një perspektivë që asnjëherë nuk ka ekzistuar, kanë kontradikta në kohë edhe në përmbajtje“.

“Për çështjen e trupave amerikane që i largojnë prej Kosovës për shkak se Kosova ka qenë në kundërshtim me politikat amerikane, na kanë thënë shumë më herët".

"Unë, së paku kam qenë në disa takime ku argumentet që i kanë përdorur kanë qenë pak më të rënda se sa vetëm largimi i trupave amerikane”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës me 82 vota rrëzoi Qeverinë Kurti pas mocionit të ngritur nga partnerja e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK-ja argumentoi se deri te mocioni erdhi për shkak të pozicionimit “jokonstruktiv” të Kurtit karshi partnerëve, në veçanti SHBA-së.

Qeveria Kurti ishte zgjedhur më 3 shkurt.

XS
SM
MD
LG