Ndërlidhjet

Raportimet për shëndetin e ligë të liderit suprem iranian konsiderohen thashetheme


Ayatollah Ali Khamenei.

Një zyrtar iranian ka kundërshtuar thashethemet se lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei është sëmurë apo edhe ka vdekur, duke thënë se 81-vjeçari është duke vazhduar punën si zakonisht.

“Me dëshirën e Zotit dhe me lutjet e besimtarëve, zotëria (Ayatollah Khamenei) është në shëndet të mirë dhe është duke kryer punët e tij sipas rutinës”, ka thënë Mehdi Fazaeli, zyrtar që publikon punët e liderit suprem.

Reagimi i tij ka ardhur pas raportimeve të mediave të huaja se një vizitë në mes të Khameneit dhe presidentit Hassan Rouhani është anuluar dhe detyrat e liderit suprem i janë deleguar njërit prej djemve të tij, 51-vjeçarit Mojtaba Khamenei, i cili nuk ka pozitë politike.

Në disa postime tjera në Twitter dhe media tjera sociale, janë cituar raportime të pakonfirmuara duke thënë se lideri suprem iranian ka vdekur.

Ayatollah Khamenei besohet se është parë në publik për herë të fundit më 24 nëntor.

Khamenei ka qenë në krye të shtetit për periudhën më të gjatë.

Ai ka qenë lider suprem i Iranit nga viti 1989.

Para se të kishte pushtet të plotë, Khamenei ka qenë president i Iranit në periudhën 1981-1989.

Më 2014, Khamenei i ishte nënshtruar një operimi për shkak të kancerit të prostatës.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim, thashethemet për shëndetin e Khameneit janë “të rreme” dhe të njëjtat ia ka atribuuar një “individi separatist me bazë në Londër”.

XS
SM
MD
LG