Ndërlidhjet

Përfitimet e gurëthyesve nga Qeveria


Një punëtor teksa punon në një gurthyes në Kosovë. Foto nga arkivi.
Një punëtor teksa punon në një gurthyes në Kosovë. Foto nga arkivi.

Rreth 15 milionë euro do të ketë të hyra më pak në buxhetin e Kosovës në pesë muajt e parë të vitit tjetër, thuhet në një përgjigje nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Kjo mungesë e të hyrave do të paraqitet për shkak të lirimit nga pagesa e rentës minerare për kompanitë që merren me prodhimin e produkteve të betonit, apo siç njihen me emrin gurëthyes.

Lirimi i pagesës së rentës minerare prej datës 1 janar deri 31 maj 2021, parashihet në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike që është miratuar më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

Renta minerare nënkupton shumën që duhet paguar shtetit (Buxhetit të Republikës së Kosovës) si kompensim për shfrytëzimin e resurseve. Për një metër kub, këto kompani buxhetit duhet t’i paguajnë 0.50 centë.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), është organi përgjegjës për vlerësimin dhe arkëtimin e rentave minerare. Sipas këtij komisioni, në vitin 2019 janë inkasuar më shumë se 30 milionë euro taksë për rentë minerare.

Kjo vlerë është realizuar nga 199 kompani sa janë të licencuara për shfrytëzim të materialeve të ndryshme ndërtimore. Nga këto kompani, 181 kanë licenca për shfrytëzim të gurit të fortë dhe 18 për shfrytëzim të rërës dhe zhavorrit.

KPMM: Gurëthyesit gjatë kësaj periudhe mund të “shfrytëzojnë situatën”

Kompanitë nga burimet e licencuara nxjerrin gurin, i cili më pas përpunohet dhe përdoret për ndërtim, qoftë të rrugëve apo edhe ndërtesave.

Por, zyrtarë të Komisionit të Pavarur për Minerale dhe Miniera, thonë se ndërmarrjet që merren me prodhimin e këtyre produkteve, gjatë kësaj periudhe mund të shfrytëzojnë situatën duke nxjerrë më tepër material të nevojshëm, për të siguruar për gjithë vitin.

“Ka mundësi, pasi ndërmarrjet do të përpiqen që ta rrisin aktivitetin e shfrytëzimit me qëllim që të sigurojnë lëndë minerale të gatshme për tërë vitin 2021, madje edhe më shumë”, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga KPMM-ja.

E vetmja masë e mundshme që mund ta ndërmarrë KPMM-ja, sipas tyre, është që në baza mujore ndërmarrjeve të mos u lejohet shfrytëzimi (minimi) më shumë se sa e kanë të paraparë në projektin e shfrytëzimit”, thuhet në përgjigje.

Por, pronari i fabrikës së betonit “Gurëthyesi Agi-Dani” në Gjilan, Bashkim Veseli, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë mundësi që të krijohen rezerva, për shkak se tashmë kanë dërguar planin e shfrytëzimit bazuar në vëllimin e mineraleve të nxjerra në KPMM-ja. Ai, ndërkaq, tregon se gjatë një viti arrin të sigurojë rreth 200 mijë kubikë gurë.

“Nuk ka mundësi të krijohen rezerva. Unë i kam dy miniera dhe e llogaritëm, nëse arrijmë të shfrytëzojmë pesë muaj, nëse na lejon moti, ka mundësi të nxjerrim 50 mijë kubikë”, thotë Veseli.

Kamionët e kompanisë Agi-Dani.
Kamionët e kompanisë Agi-Dani.

Janar –maj, periudhë e pafavorshme për gurëthyesit

Adem Kçiku, pronar i gurëthyesit “Bejta Comerc” në Gjilan, thotë se më shumë se 60 mijë euro paguan në institucionet kompetente në emër të rentës minerare. Megjithatë, ai thotë se periudha e lirimit të pagesës është e papërshtatshme për kompanitë e gurëthyesit, sepse gjatë periudhës janar-maj nuk ka shumë minime për shkak të kushteve klimatike.

Kçiku, i cili disa herë ka fituar tenderë nga Qeveria e Kosovës për ndërtim të rrugëve, thotë se për kompaninë e tij, më e rëndësishme është që ekzekutivi t’i përfundojë obligimet për punët e kryera, se sa lirimin nga pagesa e rentës.

“Në këtë periudhë, janar- maj, më së shumti mund të nxjerrim 20 mijë kubikë, sepse është periudhë që nuk punojmë, pasi ne vetëm në mars marrim tenderë për të punuar rrugë. Çdo muaj ne bëjmë një minim, mbi 10 mijë kubikë. Për këtë periudhë ne nuk mundem të bëjmë më shumë se dy minime apo 23 mijë kubikë”, thekson Kçiku.

Kurse, Bashkim Veseli konsideron se lirimi nga pagesa e rentës minerare do të ndihmojë shumë në operimin e biznesit të tij. Ai gjatë një viti tregon se paguan deri në 70 mijë euro rentë minerare varësisht nga kërkesat për produktin.

Me shumën e falur nga qeveria, Veseli thotë se do ta ketë më lehtë mbajtjen e punëtorëve në punë, pasi thotë se edhe kompania e tij ka pasur humbje për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.

“Unë besoj se gjatë kësaj periudhe që kanë caktuar për lirim nga pagesa deri në 30 mijë euro, na lehtësojnë. Më mirë do të ishte për gjithë vitin, por edhe kjo mjafton shumë”, thotë ai.

Murati: Klientelizëm i pastër

Por, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Hekuran Murati, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje shprehet se ky nen paraqet "klinetelizëm të pastër" dhe se për këtë arsye nuk është votuar në Komision, porse ka arritur të votohet në Kuvend.

Ky është klientelizëm i pastër, sepse shënjestron kompani të caktuara. Marrëdhënia këtu është klientelizëm i pastër", tha shkurt Murati për Radion Evropa e Lirë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paraqitur këtë amandament në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Deputeti i kësaj partie, Gazmend Abrashi, tha se nuk ka lidhje me asnjë pronar të ndonjë gurthyesi dhe vlerësimin e anëtarëve të Vetëvendosjes e quan hipotetik.

Arsyeja e futjes se këtij amandamenti në ligj, sipas Abrashit, është që të ndihmohet sektori privat për shkak të humbjeve që ka pësuar gjatë pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.

“Këtë masë që e kemi propozuar ne, fatmirësisht e ka përkrahur edhe Kuvendi i Kosovës, është masë të cilën e kanë aplikuar të gjitha qeveritë e Ballkanit Perëndimor qysh para 3-4 muajsh. Duke e marrë parasysh se me rënien e kërkesës agregate në treg ka rënë edhe çmimi, kjo ka qenë përkrahja më e vogël që kemi mundur t’i bëjmë këtij resori ekonomik me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës”, thotë ai.

Ligji për rimëkëmbje ekonomike pas shtatë tentimesh ka arritur të votohet më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, kurse më 7 dhjetor është publikuar në gazetën zyrtare.

XS
SM
MD
LG