Ndërlidhjet

Pandemia përshpejton procesin e digjitalizimit të kompanive


Agjencia për Tregti Elektronike e Maqedonisë së Veriut bën të ditur se gjatë krizës së pandemisë, është rritur shitja online e produkteve ushqimore.
Agjencia për Tregti Elektronike e Maqedonisë së Veriut bën të ditur se gjatë krizës së pandemisë, është rritur shitja online e produkteve ushqimore.

Shumë kompani në Maqedoninë e Veriut, si rrjedhojë e pandemisë së koronavirusit, janë detyruar të përshpejtojnë procesin e digjitalizimit të punës së tyre, përkatësisht një pjesë të madhe të shitjeve apo shërbimeve t’i ofrojnë online.

Në bazë të të dhënave të Bankës Popullore, qytetarët e Maqedonisë së Veriut përmes kartelave pagesore (kartelave për pagesë elektronike) gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti kanë realizuar qarkullim në vlerë prej 4.3 miliardë denarësh, që paraqet rritje për 113 për qind krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit paraprak, përkatësisht 2019.

Në bazë të të dhënave zyrtare, në muajin qershor të vitit 2020 janë regjistruar 1 mijë e 223 e-dyqane (dyqane online), që është për 20 për qind më shumë krahasuar me dhjetorin e vitit 2019.

Agjencia për Tregti Elektronike, e cila ka hulumtuar tregun online, bën të ditur se gjatë krizës së pandemisë është rritur shitja online e produkteve ushqimore dhe produkteve të ndryshme për nevoja të përditshme, ndërkohë kanë pësuar rënie shërbimet online në sektorët që kanë qenë më të dëmtuar nga kriza e pandemisë së koronavirusit, siç është turizmi, gastronomia, hotelieria e transporti.

Viktor Stojanovski, sekretar i përgjithshëm Asociacionit për Tregti Elektronike, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe qytetarët e vendeve të Evropës, online më së shumti blejnë veshje dhe pajisje sportive.

“Sfidë për e-tregtinë, përkatësisht shitjet online, mbetet niveli i ulët për sa i përket shkathtësive digjitale që posedojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Në masë të konsiderueshme pandemia e koronavirusit ka ndikuar në ndryshimin e shprehive kur bëhet fjalë për pagesat online, një pjesë e madhe e qytetarëve tashmë faturat e energjisë elektrike, ujit, telefonit dhe shërbimeve komunale i bëjnë në mënyrë elektronike”.

“Është rritur në masë të theksuar blerja e produkteve ushqimore online dhe produkteve për konsum të përditshëm, që s’ishte dukuri e shprehur para pandemisë”, thotë Stojanovski, duke bërë të ditur se më shumë se 70 për qind e të anketuarve janë shprehur se edhe pas pandemisë do të vazhdojnë të blejnë gjëra online, ashtu siç kanë vepruar gjatë krizës së pandemisë.

Të punësuarit në sektorin e Teknologjisë Informative janë ata që pothuajse nuk i kanë ndier pasojat e krizës së pandemisë, pasi natyra e punës është e tillë që nuk ka dallim nëse bëhet nga zyra apo në kushte shtëpie.

Megjithatë Vlora Ademi, nënkryetare e Odës Ekomomike të Maqedonisë Veriperëndimore, e cila drejton një kompani në lëmin e IT-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht se shërbimet elektronike janë gjithnjë e më të kërkuara, nëse vazhdon kriza e pandemisë edhe ky sektor do të jetë i prekur.

“Unë mendoj se kriza e pandemisë nëse vazhdon të zgjatet, pa dyshim se do të prekë edhe fushën e teknologjisë informative. Nëse do të pyesni pse, do të thosha se përderisa çdo biznes në të kaluarën ka bërë plane afatgjatë, plane vjetore ose plane për kuartale".

"Tani edhe gjatë punës me klientët nga Zvicra e shoh se e kanë shumë vështirë të bëjnë plane afatgjate, qoftë për shitje, apo zhvillimin e softuerëve në kompanitë e tyre, sepse në fund të fundit, çfarëdo servisi që ju jepni si sektor i IT-së, qoftë në industri apo turizëm, në fund të fundit e ka konsumatorin”, thotë Ademi drejtuese e kompanisë “Digicube”, duke shtuar se sektori i IT-së me fillimin e pandemisë ka qenë në fokus të interesit të kompanive që të ndryshojnë mënyrën e shitjes së produkteve të tyre nga ajo tradicionalja në mënyrë elektronike.

Ndërkohë, afaristët thonë se pandemia i ka detyruar që të përshpejtojnë procesin e digjitalizimit të kompanive.

“Në bazë të një biznes-plani që kishim, duhej që gjatë vitit 2021 të inkorporojmë plotësisht shitjen online të produkteve tona, por kriza e pandemisë e cila shkaktoi ulje drastike sa i përket shitjes së produkteve tona, na detyroi që të digjitalizojmë pjesën e sektorit të shitjes”, thotë Ivan Kalinov, drejtor i një kompanie që prodhon elektron-materiale.

Ai thekson se në fillim ka qenë shumë e vështirë për t`iu përshtatur kësaj forme të shitjes, por më vonë kanë kuptuar se shitja online ka më shumë përparësi, e ulë në masë të madhe koston e shpenzimeve siç është sigurimi i dyqaneve dhe stafit të punëtorëve, ndërkohë që mundëson që produktet e kompanisë të arrijnë te më shumë konsumatorë, duke shtuar se duhet punuar në rritjen e besimit dhe sigurinë e kosumatorëve.

XS
SM
MD
LG