Ndërlidhjet

Haradinaj nuk deklarohet para Speciales për aktakuzën kundër tij


Nasim Haradinaj në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale.
Nasim Haradinaj në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale.

Udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, nuk është deklaruar të premten para Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, me seli në Hagë, lidhur me akuzat që ngarkojnë mbi të.

Në paraqitjen e tij të parë para gjykatës më 18 dhjetor, kur është pyetur nëse ka pranuar aktakuzën, Haradinaj ka thënë se nuk e ka lexuar këtë dokument.

“Kam nënshkruar diçka, por të them të drejtën as që e kam lexuar”, ka deklaruar ai.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou më 11 dhjetor ka konfirmuar aktakuzën ndaj Haradinajt dhe udhëheqësit tjetër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara më 14 dhjetor, është thënë se aktakuza lidhet me “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Këto vepra penale dyshohet se janë kryer në periudhën 7-25 shtator 2020.

Nasim Haradinaj deklaroi të premtën se Prokuroria Speciale është politike, selektive, e njëashme dhe e korruptuar.

“Për mendimin tim, kjo prokurori është së pari politike, selektive dhe e njëanshme. Por tani me këtë veprim të tyre, po dyshoj dhe po bindem se është edhe e korruptuar. Sepse ndryshe nuk do të dilte gjithë ai material nga zyrat e tyre dhe si përfundim sheshazi po del se kjo prokurori, pos tjerash ka edhe dy qëllime, mundohet të njollosë dhe të humbë kuptimin e luftës sonë çlirimtare dhe luftëtarëve të saj dhe nën dy, po mundohet të dënojë përfaqësuesit e këtyre luftëtarëve”.

Sipas tij, OVL e UÇK-së, nuk mund të fajësohet për, siç ka thënë ai, nxjerrjen nga sirtarët të këtyre dokumenteve.

"​Për mua dhe këdo që ka vetëm një pikë logjikë, nuk ka si kuptohet ndryshe, vetëm se kjo prokurori dëshiron të heqë vëmendjen e opinionit nga vetja dhe të kërkojë fajin diku tjetër. Ne duhet të përgjigjemi se pse ju dolën sekretet e tyre, dhe u sollën mijëra kilometra larg në zyrat tona dhe mos harroni, ato nuk ishin as një, as dy fletë, por me mijëra faqe. Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së nuk ka pasur qasje dhe nuk ka dhe as qe mundet të fajësohet për nxjerrjen nga sirtarët e tyre të këtyre dokumenteve”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka thënë se Gjykata Speciale nuk ka çfarë të presë nga ai, sepse dihet publikisht qëndrimi që ka për këtë trup.

"Mohimi i faktit, duke anashkaluar se kush i nxori nga sirtarët e kësaj prokurorie këto dokumente, kush i solli ne Kosovë, kush na i solli në selinë tonë, dhe tani për këtë, ta mbajmë ne përgjegjësinë e tyre, është çmenduri dhe aspak drejtësi. Kur dihet shume qartë mendimi ynë për këto dhoma, pra ne të fajësohemi për të larë fajet e kësaj prokurorie, është absurd i kësaj prokurorie në drejtësinë e këtij shekulli”.

Mes tjerash, Haradinaj ka thënë se tash e tutje do të përfaqësohet në gjykatë vetëm përmes avokatit.

"Unë më nuk flas, por do të flas vetëm përmes avokatit”, ka deklaruar ai.

Avokati i Haradinajt në këtë proces gjyqësor do të jetë Toby Cadman.

Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj "zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale".

Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe të Policisë së Kosovës.

Arrestohen krerët e veteranëve të UÇK-së
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Fillimisht nuk janë dhënë detaje për arsyet e lëshimit të fletarrestimeve, por më vonë është thënë se ata kanë penguar drejtësinë.

Tri herë gjatë shtatorit, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar - në mënyrë anonime - dosje që lidhen me Prokurorinë Speciale.

Përmbajtja e tyre nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri më tash, ky institucion ka njoftuar se ka konfirmuar aktakuzën për krime lufte kundër disa ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Salih Mustafa.

Të gjithë këta të fundit ndodhen në objektet e paraburgimit në Hagë.

XS
SM
MD
LG