Ndërlidhjet

Nenad Arsiq dënohet me gjashtë vjet burgim për krime lufte në Kosovë


Fotografi nga arkivi, gjatë një seance gjyqësore në Kosovë.
Fotografi nga arkivi, gjatë një seance gjyqësore në Kosovë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim, Nenad Arsiq, nga Çagllavica, nën akuzat për krime lufte kundër civilëve, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati mbrojtës, Dejan Vasiq.

Ai tha se do ta kundërshtojë vendimin e Themelores në Gjykatën e Apelit, pasi, sipas tij, nuk ka mundur të vërtetohet se klienti i tij të ketë kryer krimet për të cilat akuzohet.

Arsiq akuzohet për trajtim çnjerëzor të Jakup dhe Skender Shalës në lagjen Emshir të Prishtinës, gjatë luftës në Kosovë.

Në një komunikatë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet se “Me datë 21.05.1999, i akuzuari N.A, në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, kishte marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë”.

“Me ç ‘rast me dashje dhe në bashkëkryerje me pjesëtaret tjerë të forcave policore, kishin cenuar rëndë integritetin trupor, shëndetin dhe gjendjen fizike e mendore të të dëmtuarve J.SH. dhe S.SH, duke i rrahur me mjete të forta drunjë dhe shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit, duke i fyer si dhe me dashje kishte marrë pjesë në poshtërimin dhe trajtimin çnjerëzor”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Nenad Arsiq u arrestua më 22 tetor 2019, kur hyri në Serbia në Kosovë dhe që nga ajo kohë ishte në paraburgim.

XS
SM
MD
LG