Ndërlidhjet

Një aeroplan me 62 pasagjerë rrëzohet në Indonezi


Foto ilustrim.

Një aeroplan pasagjerësh. me 62 persona në bord, besohet të jetë rrëzuar pak pas ngritjes nga kryeqyteti indonezian Xhakartë, raporton BBC.

Sriwijaya Air Boeing 737 humbi kontaktin gjatë rrugës për në Pontianak në provincën perëndimore Kalimantan, thanë zyrtarët.

Uebfaqja për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24.com tha se avioni kishte humbur lartësi prej 3,000 metrash në më pak se një minutë. Ministria e Transportit e Indonezisë tha se përpjekjet e kërkim-shpëtimit kanë filluar. Dëshmitarët thanë se ata kishin parë dhe dëgjuar të paktën një shpërthim.

Një dëshmitar i tha shërbimit indonezian të BBC-së se kishte parë një përplasje. "Aeroplani ra si vetëtima në det dhe shpërtheu në ujë", tha ai.

Ministri i Transportit në Indonezi, Budi Karya, tha në një konferencë për shtyp se 62 persona kishin qenë në bord, përfshirë 12 veta të ekuipazhit. Uebfaqja detik.com e citoi atë të thoshte se aeroplani u rrëzua afër ishullit Laki, rreth 20 kilometra nga aeroporti, raporton Reuters.

Marina e Indonezisë ka përcaktuar koordinatat e vendit ku është rrëzuar aeroplani, tha zyrtari i marinës, Abdul Rasjid, të shtunën.

Aeroplani nuk është i modelit Boeing 737 Max, i përfshirë në dy incidente në vitet e fundit. Sipas detajeve të regjistrimit, aeroplani është i prodhuar para 27 vjetësh.

Aksidentet e aviacionit janë relativisht të zakonshme në Indonezi, për shkak të mbipopullimit, vjetërsisë së infrastrukturës dhe standardeve të dobëta të sigurisë.

Një zëdhënëse e Boeing tha se “jemi të vetëdijshëm për raportet e medias nga Xhakarta dhe po monitorojmë nga afër situatën".

XS
SM
MD
LG