Ndërlidhjet

Më 11 janar Shqipëria fillon procesin e vaksinimit kundër COVID-19


Një person duke u vaksinuar kundër koronavirusit. (Foto nga arkivi)

Në Shqipëri vaksinimi kundër COVID-19 pritet të fillojë të hënën (11 janar).
Kështu ka njoftuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai nuk ka njoftuar për sasinë e vaksinave që kanë arritur në Tiran.

Fillimin e imunizimit Rama e kishte paralajmëruar disa ditë më parë.

Më 1 janar, ai pati thënë se Shqipëria ka siguruar 500,000 doza të vaksinës anti-COVID-19, nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer. “Kjo është nisja më e mirë e mundshme e këtij viti vendimtar të zmbrapsjes përfundimtare të këtij armiku të padukshëm”, ka thënë kryeministri shqiptar.

Rama po ashtu pati bërë të ditur se një sasi e vaksinave do t’i jepet Kosovës, për të vaksinuar punonjësit shëndetësorë.

Kosova ende nuk e ka nisur procesin e vaksinimit.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se në Kosovë vaksinat e para do të arrijnë në muajin shkurt dhe do të nisë fushata e vaksinimit, sipas grupeve me prioritet, të përcaktuara në një strategji të imunizimit. Më 5 janar, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi se Kosova ka siguruar 500,000 vaksina anti-COVID-19 nga kompania farmaceutike Pfizer. Sipas tij, konfirmimi për sigurimin e tyre e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer-it, gjatë një takimi online që e kanë zhvilluar me përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Në ditë më pas, kryeministri në detyrë, Hoti, në një konferencë për media, prezantoi strategjinë për vaksinimin e popullatës kundër sëmundjes COVID-19 dhe tha se janë tri grupe që do të kenë prioritet për vaksinim: punonjësit dhe stafi shëndetësor, personat mbi 65 vjeç dhe personat me rrezikshmëri të lartë, pra ata me sëmundje kronike. Ai tha se janë konkretizuar negociatat me kompaninë amerikane Pfizer për sigurimin e 535 mijë dozave të vaksinës. Po ashtu, ai tha se kanë negociuar për marrjen e 600 mijë dozave të vaksinave nga Austria - pa specifikuar se të cilës kompani janë - si dhe nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosova pritet të marrë 720 mijë doza, apo vaksina të mjaftueshme për 20 për qind të popullatës.

Të dielën, ministri në detyrë, Zemaj, tha se tashmë janë siguruar 1.220.000 vaksina kundër koronavirusit. Më 8 janar, kompania amerikane, Pfizer nuk e konfirmoi një marrëveshje me Qeverinë në detyrë të Kosovës, për sigurimin e dozave të vaksinës kundër koronavirusit, por tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke u zhvilluar diskutime.

"Jemi në diskutime me Qeverinë e Kosovës për t’i ofruar qasje në vaksinë. Diskutimet me qeverinë janë konfidenciale dhe ne nuk kemi asnjë njoftim të ri për të bërë në këto momente”, kanë thënë nga kompania Pfizer.

XS
SM
MD
LG