Ndërlidhjet

Zaev: Do të thellojmë aleancën midis Maqedonisë së V. dhe SHBA-së


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Drejtuesit e institucioneve shtetërore të Maqedonisë së Veriut kanë përshëndetur inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden, duke shprehur besimin e plotë për vazhdimin e "marrëdhënieve të shkëlqyera" me SHBA-në si një partner strategjik.

“Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik, i cili gjithmonë ka mbështetur demokracinë në vend dhe integrimin tonë euro-atlantik”, thuhet në mesazhin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Kryeministri, Zoran Zaev, ka uruar presidentin e ri amerikan Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris duke theksuar besimin se “demokracia amerikane do të jetë një shembull global frymëzues”.

"President Biden, unë jam i lumtur për kohën që kemi para nesh në të cilën besoj se do të thellojmë aleancën midis Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe lidhjet e ngushta dhe miqësinë midis nesh dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Zaev.

Lidhur me inaugurimin e presidentit të ri amerikan vlerësimet e tyre i kanë dhënë edhe liderët e partive politike.

“Jam besimplotë se SHBA nën udhëheqjen e Biden do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, shqiptarëve dhe Ballkanit në përgjithësi gjatë procesit tonë tashmë të pakthyeshëm drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, por edhe në thellimin e miqësisë tradicionale me Amerikën. Bashkëpunimi jonë është i sinqertë dhe ne i ndajmë të njëjtat vlera. Të gjitha i arritëm bashkë, çdo sukses është i përbashkët”, thuhet në urimin e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ndërsa në reagimin e liderit të opozitës shqiptare, Ziadin Sela thuhet: “ne si shqiptar jemi me fat që kemi krijuar një histori bashkëpunimi me popullin amerikan, dhe sot ndajmë të njëjtin gëzim për inaugurimin e presidentit të ri amerikan”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Demokrati Joe Biden u inaugurua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamala Harris po ashtu bëri betimin si nënpresidente.

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.

Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt republikanit, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

XS
SM
MD
LG