Ndërlidhjet

Daisy Sindelar emërohet u.d e presidentit të Radios Evropa e Lirë


Daisy Sindelar.
Daisy Sindelar.

Udhëheqësja aktuale e Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM) Kelu Chao, ka emëruar Daisy Sindelar, si ushtruese të detyrës së presidentit të Radios Evropa e Lirë.

Përmes një deklarate të lëshuar më 24 janar, Kelu Chao, ushtruese e detyrës së shefit të USAGM-it, ka emëruar po ashtu Bay Fang si presidente të Radios Azia e Lirë, si dhe Kelley Sullivan në krye të Rrjetit Transmetues të Lindjes së Mesme.

“Unë besoj shumë se këta liderë do të garantojnë standardet më të larta të gazetarisë së pavarur, objektive dhe profesionale”, ka thënë Chao në një deklaratë.

Chao ka shkarkuar presidentin e Radios Evropa e Lirë, Ted Lipien, bashkë me drejtorët e Radios Azia e Lirë dhe Rrjetit Transmetues të Lindjes së Mesme më 22 janar, vetëm një muaj pasi janë emëruar në këto pozita.

Një ditë më herët, më 21 janar, Chao ka larguar nga detyra edhe drejtorin e Zërit të Amerikës dhe zëvendësin e tij, derisa udhëheqësi i Zyrës së Kubës ka dhënë dorëheqje.

Zëri i Amerikës dhe transmetuesi në Kubë janë agjenci federale të Shteteve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë, Radio Azia e Lirë dhe Rrjeti i Transmetimit për Lindje të Mesme, janë agjenci private, që financohen nga taksapaguesit amerikanë përmes Kongresit.

Shkarkimet kanë ardhur pas dorëheqjes së kërkuar të Michael Packut nga pozita e kreut të USAGM, disa orë pasi Joe Biden është betuar si president i Shteteve të Bashkuara.

Pack, i përzgjedhur i ish-presidentit amerikan Donald Trump, është kritikuar nga demokratët dhe republikanët për politikat dhe emërimet që ka bërë prej kur i është konfirmuar pozita nga ligjvënësit amerikanë në qershor të vitit të kaluar.

Pack është akuzuar edhe për tentim të ndërhyrjes në përmbajtjen editoriale të shërbimeve brenda këtyre organizatave.

Më 24 janar, Chao, gazetare veteran për tri dekada e Zërit të Amerikës, ka njoftuar se ka emëruar bordin e ri të drejtorëve të USAGM-së, duke e zëvendësuar me bordin e emëruar nga Pack, pak ditë pasi është shkarkuar.

Pjesë e bordit të ri janë: Karen Kornbluh, Ryan Crocker dhe Michael Kempner.

XS
SM
MD
LG