Ndërlidhjet

Prokuroria në Hagë kërkon që gjykimi ndaj Mustafës të nisë në mars


Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi që gjykimi ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa të nisë në muajin mars, por pala mbrojtëse tha se gjykimi duhet të nisë në korrik ose pasi t'i kenë kryer hetimet e tyre.

"Dikur nga korriku në atë periudhë kohore, ndoshta nuk do t’i kemi përfunduar të gjitha hetimet tona, por kjo është koha e përafërt që mund të japë", tha avokati i Mustafës, Julius Von Boné.

Në konferencën statusore apo për ecurinë e çështjes, Prokuroria tha se do të jetë në gjendje të dërgojë të gjitha materialet e dosjes hetimore deri më 15 shkurt. Por, mbrojtja tha se do t'i duhet kohë deri në gusht, që të kryejë hetimet, në mënyrë që të përgatitet për gjykim.

Zëvendësi i Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, tha se koha që po kërkon mbrojtja është e papranueshme. Ai tha se mbrojtja ka pasur kohë të mjaftueshme që të përgatisë çështjen e saj.

Avokati i Mustafës, holandezi, Julius Von Boné, tha se mbrojtja parashikon që për dy muaj të intervistojë dy dëshmitarë, që sipas tij, do të mbështesnin një alibi për Mustafën, që mbrojtja dëshiron ta paraqesë.

Mbrojtja tha se ka në agjendë që të intervistojë edhe dëshmitarë të tjerë dhe të analizojë raporte, të cilat do t'i ndihmonin ta ndërtonin rastin e tyre. Por, prokuroria tha se "objekti i çështjes është shumë i qartë dhe nuk ka nevojë për hetime të zgjeruara", thanë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjatë seancës, Prokuroria u zotua që do t'ia dorëzojë palës mbrojtëse materialet e nxjerra, duke përfshirë edhe ato shfajësuese.

Prokuroria përmendi se këtyre materialeve mund t’iu shtohet edhe një dëshmitar, i cili është intervistuar më herët nga ta, por që prokurorët ende janë duke verifikuar të dhënat.

Në këtë seancë nuk mori pjesë Salih Mustafa, gjë për të cilën ai i ka njoftuar me shkrim Dhomat e Specializuara.

Von Boné foli edhe për materialet që ka pranuar nga Prokuroria dhe tha se nuk ka pasur ndonjë vështirësi, përveç se disa materiale nuk janë të përkthyera në shqip.

“E vetmja vështirësi është se disa nga materialet e nxjerra janë në gjuhën angleze, disa nga deklaratat nuk janë përkthyer në shqip. Kjo është e vetmja vështirësi që kemi”, tha Von Boné .

Gjatë seancës, Von Boné dy herë kërkoi nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou që seanca të mbyllet për media, ku palët të diskutojnë lidhur me provat, të cilat mund të përmbajnë informacione të mbrojtura.

Salih Mustafa akuzohet nga Dhomat e Specializuara për krime lufte. Aktakuza ndaj tij ka katër pika: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Më 28 tetor, të vitit 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG