Ndërlidhjet

Militantët vrasin katër gra aktiviste në Pakistan


Harta e Pakistanit

Militantë të dyshuar zunë në pritë një automjet që transportonte katër aktiviste gra në veriperëndim të Pakistanit, duke i vrarë ato dhe duke plagosur shoferin.

Sulmi ndodhi të hënën në Mir Ali - qytet në rrethin e Vaziristanit Verior, i tha Radios Evropa e Lirë Shafiullah Gandapur, shefi i policisë rajonale.

Zyrtarët thanë se viktimat ishin nga organizata bamirëse Sabawoon, e cila siguron trajnim për gratë e interesuara për të bërë biznes nga shtëpitë e tyre.

Militantët pakistanezë i kanë shtuar së voni aktivitetet e tyre në rajonin që kufizohet me Afganistanin, duke rritur frikën për rigrupimin e tyre në ish-bastionin e talibanëve.

Militantët shpesh sulmojnë edhe trupat pakistaneze në rajonet në kufi me Afganistanin.

Forcat pakistaneze të sigurisë kanë zhvilluar një operacion masiv anti-taliban në Vaziristanin Verior, në qershor të vitit 2014, dhe pretendojnë se zona është siguruar.

Sidoqoftë, banorët lokalë ankohen se grupe njerëzish të armatosur po kthehen në zonë.

XS
SM
MD
LG