Ndërlidhjet

Aktivistet polake protestojnë kundër ndalimit të abortit


Protesta në Varshavë, 8 mars, 2021.

Aktivistet e të drejtave të grave në Poloni shënuan Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke protestuar kundër ndalimit pothuajse total të abortit, i cili ka hyrë në fuqi në muajin janar.

Protesta e 8 marsit u organizua nga grupi Greva e Grave, i cili, vitin e kaluar, ka organizuar protesta masive edhe kundër Ligjit për abortin.

Udhëheqësja e grupit, Marta Lempart, tha se pavarësisht ndalimit të abortit, gratë në Poloni kanë arsye për të festuar.

“Ne jemi një lëvizje masive, jemi i vetmi vend që po bëhet laik kaq shpejt dhe që po bëhet feminist kaq shpejt”, tha Lempart.

Aktivistet në Poloni thonë se gratë në këtë vend abortojnë - pa marrë parasysh se çfarë thotë ligji - disa me pilula dhe të tjerat duke udhëtuar jashtë vendit.

Bashkimi Evropian ka shprehur vazhdimisht shqetësimet e tij rreth përkeqësimit të normave demokratike në Poloni - vend anëtar i BE-së, i udhëhequr nga Qeveria e krahut të djathtë e kryeministrit Mateusz Morawiecki.

Protestat në disa qytete të Polonisë kanë shpërthyer në tetor të vitit të kaluar, kur Gjykata Kushtetuese e këtij vendi ka vendosur të lejojë abortin vetëm në rastet e përdhunimit ose incestit, ose kur shtatzënia kërcënon jetën e nënës.

Demonstratat janë rritur në lëvizjen më të madhe anti-qeveritare në Poloni që nga rënia e komunizmit, më shumë se 30 vjet më parë.

XS
SM
MD
LG