Ndërlidhjet

Turqia planifikon të jetë nikoqire e bisedimeve për paqe në Afganistan


Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.

Turqia ka thënë se planifikon të jetë nikoqire e një konference për paqe në Afganistan, muajin e ardhshëm.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ka thënë më 12 mars se Ankaraja e konsideron veten “një nga aktorët më të rëndësishëm në Afganistan”.

“Ne do ta organizojmë këtë takim, në koordinim me vëllezërit tanë në Katar”, është cituar të ketë thënë Cavusoglu sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu.

Ai u është referuar bisedimeve në mes të Qeverisë afgane dhe talibanëve, që po mbahen në Doha.

Megjithatë, ministri turk nuk ka dhënë hollësi rreth datës së takimit.

Ai ka shtuar se Turqia synon të emërojë një të dërguar special për procesin e paqes.

“Si talibanët, ashtu edhe delegacioni negociues, pra pala qeveritare, na kanë kërkuar që Turqia të jetë nikoqire e një takimi të tillë në të kaluarën”.

Kjo shtytje diplomatike vjen teksa presidenti amerikan Joe Biden është duke kompletuar rishikimin e një marrëveshjeje, të nënshkruar me talibanët nga administrata e ish-presidentit Donald Trump, për të tërhequr trupat amerikane nga Afganistani deri në maj të këtij viti.

Më 9 mars, Rusia po ashtu ka thënë se mëton të organizojë një konferencë në Moskë, javën tjetër, për të diskutuar rreth Afganistanit, ndonëse nuk është bërë e qartë nëse Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë.

XS
SM
MD
LG