Ndërlidhjet

Letonia dhe Lituania do të rinisin përdorimin e vaksinës së AstraZenecas


Ilustrim.

Letonia dhe Lituania do të rinisin të premten përdorimin e vaksinave kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca, kanë njoftuar ministritë e Shëndetësisë të të dyja vendeve.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë të enjten se është e bindur se përfitimet nga vaksina e AstraZenecas tejkalojnë rreziqet, pas një hetimi të kryer rreth raportimeve për trashje gjaku të disa pacientëve që kanë marrë këtë vaksinë.

Lajmin për efektin dhe sigurinë e vaksinës, e ka dhënë drejtorja e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve Emer Cooke, pas një takimi të gjatë në Komisionin për vlerësimin e rrezikut, që funksionon në kuadër të kësaj agjencie.

Sipas njoftimit, në takim kanë marrë pjesë edhe ekspertët kombëtarë të vendeve anëtare.

Ajo ka thënë se nuk duhet harruar faktin që mijëra njerëz në ditë po vdesin në Evropë, si pasojë e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, dhe se vaksinimi është mënyrë e domosdoshme për të fituar betejën me pandeminë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje të enjten për vazhdim të përdorimit të vaksinës.

Vetë OBSH-ja pritet të publikojë rezultatet e kërkimeve të veta për sigurinë e kësaj vaksine, të premten.

Ndonëse Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit, ky vend pritet të furnizohet fillimisht me këto vaksina.

Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

XS
SM
MD
LG