Ndërlidhjet

Mijëra të evakuuar nga përmbytjet në Australi


Pamje nga përmbytjet në Sidnej të Australisë.
Pamje nga përmbytjet në Sidnej të Australisë.

Rreth 18,000 njerëz u evakuuan nga përmbytjet në shtetin Nju Sauth Uells në Australi.

Shirat e furishëm, tash e sa ditë, kanë bërë që lumenjtë të derdhen përreth Sidnejt - kryeqytetit të shtetit - dhe në juglindje të Kuinsllendit.

Sipas zyrtarëve, kjo ndodh “për herë të parë në 50 vjet”.

Ata i bënë thirrje publikut që të ushtrojë kujdes.

Kryeministri Scott Morrison ofroi fonde për ata që janë detyruar të largohen.

Kryeministrja e shtetit Nju Sauth Uells, Gladys Berejiklian, tha se shumë prej komuniteteve që janë goditur nga përmbytjet, janë prekur edhe nga zjarret dhe thatësirat verën e kaluar.

“Unë nuk di ndonjë kohë në historinë e shtetit, kur kemi pasur këso kushtesh ekstreme të motit, në mes të një pandemie”, tha ajo.

“Ajo që po kalojmë tani, është ndryshe nga ajo që keni përjetuar në 50 vjetët e fundit, kështu që ju lutemi merreni seriozisht”, tha Berejiklian.

Shërbimet e urgjencës kryen së paku 750 operacione shpëtimi.

Byroja australiane e Meteorologjisë tha se reshjet e shiut - deri në 900 mm në disa zona - janë “të jashtëzakonshme”.

Sipas saj, shumë zona në Nju Sauth Uells i ngjajnë detit.

XS
SM
MD
LG