Ndërlidhjet

Arrestohen shtatë persona për kontrabandim të armëve  


Foto ilustrim.
Foto ilustrim.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës, bashkë me ata të Prokurorinë Themelore të Ferizajt, kanë arrestuar të enjten shtatë persona, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “kontrabandë me armë”.

Të dyshuarit janë arrestuar pas një aksioni policor të zhvilluar të enjten, në orët e hershme të mëngjesit.

"Njësia Rajonale e Hetimeve ka kryer këtë operacion të quajtur ‘Stuhia’, në Ferizaj, Gjilan, Prishtinë Lipjan, Shtërpcë, dhe ka arrestuar disa persona për kontrabandim me armë", ka thënë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajit, Shukri Jashari.

Policia ka njoftuar se gjatë bastisjes janë sekuestruar granata, armë e fishekë.

Arbnesh Ajvazi, zyrtar nga Policia e Kosovës, ka njoftuar se përveç armatimit, janë gjetur edhe pajisje si telefona, laptopë e gjëra të tjera.

“Ka qenë një grup i organizuar mirë, i strukturuar si grup kriminal. Kanë qenë gjithsej 13 lokacione, Ferizaj shtatë lokacione, Gjilan tri lokacione dhe Prishtinë tri lokacione. Gjatë bastisjes janë sekuestruar disa granatahedhëse dore, dy AK-57, armë, fishekë, karikatorë", ka thënë mes tjerash Ajvazi.

Në këtë aksion policor kanë qenë të angazhuar rreth 200 zyrtarë policorë. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Aksionin e së enjtes e kishte konfirmuar në mëngjes për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Policia e Kosovës, edhe të mërkurën (24 mars) ka kryer një aksioni të gjerë kundër krimit të organizuar.

Prokurorja speciale, Habibe Salihu, ka bërë të ditur se janë kontrolluar 12 lokacione dhe janë arrestuar 9 persona, derisa tre persona të tjerë ishin arrestuar në muajin tetor të vitit 2020.

Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer vepra penale të krimit të organizuar, falsifikim të dokumenteve dhe trafikim të njerëzve.

XS
SM
MD
LG