Ndërlidhjet

Shkarkohet zv.ministri taxhik, ngatërroi Korenë e Jugut me atë të Veriut


Samariddin Alizoda, që u shkarkua nga posti i zëvendësministrit të Shëndetësisë.

Një zëvendësministër i Shëndetësisë në Taxhikistan është shkarkuar, pasi ka ngatërruar Korenë e Jugut me atë të Veriut, si dhe ka harruar emrat e përfaqësuesve të UNICEF-it dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë një konference në Dushanbe.

Presidenti taxhik, Emomali Rahmon raportohet se më 31 mars liroi nga detyra Samariddin Alizoda, më pak se dy javë pasi ai i bëri këto gafa në një konferencë për media, që u bën virale në rrjetet sociale.

Disa burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, i thanë Radios Evropa e Lirë se Alizoda u shkarkua për shkak të performacës së tij në konferencën për media më 18 mars, ku ai njoftoi për planet e autoriteteve për shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit të AstraZeneca/Oxford.

Përdoruesit e internetit e përdorën fjalën “katastrofike” për të përshkruar paraqitjen e Alizodas, i cili gjatë konferencës së 18 marsit, nuk iu kujtua ose nuk dinte ta shqiptonte emrin e përfaqësuesit të OBSH-së, Viktor Arshavsky si dhe të të dërguarit të UNIFEC-it, Osama Makkawi.

“Vaksina e AstraZenecas është zhvilluar në Angli dhe po prodhohet në Belgjikë, po ashtu në Indi dhe Kore të Veriut”, kishte deklaruar Alizoda.

Pasi gazetarët e përmirësuan atë, duke i thënë se kjo vaksinë prodhohet në Kore të Jugut, Alizoda u përgjigj:

“Po, e Jugut, Koreja e Jugut”, duke shtuar se “Çfarë dallimi ka? Koreja është Kore".

Shumë nga pjesëmarrësit në këtë konferencë, pas kësaj deklarate, filluan të qeshnin.

Alizoda nuk kishte reaguar pasi këto deklarata të tij prodhuan shaka e kritika në rrjetet sociale, por më 23 mars, publikisht mori dozën e vaksinës së AstraZenecas.

Alizoda, 55 vjeç, që është doktor me profesion, ishte emëruar në postin e zëvendësministrit në maj të vitit 2020, teksa rastet me koronavirus kishin filluar që të rriteshin në Taxhikistan.

Para se të emërohej zëvendësministër, ai kishte qenë shef i Shërbimit për Kontrollin Sanitar dhe Epidemiologjik të Taxhikistanit.

XS
SM
MD
LG