Ndërlidhjet

Pavarësisht rritjes së rasteve me COVID-19, Bullgaria lehtëson masat


Një punëtore shëndetësore në Bullgari. Fotografi nga arkivi.

Autoritetet shëndetësore në Bullgari të enjten lehtësuan kufizimet kundër koronavirusit, pavarësisht se ky shtet së fundmi ka regjistruar rritje të rasteve me COVID-19. Po ashtu, ky vendim vjen tri ditë para se Bullgaria të mbajë zgjedhjet e përgjithshme.

“Në ditët e fundit ne kemi pasur pikun e valës së tretë (të pandemisë), por shkalla e infektimit ka filluar që të bie”, tha ministri i Shëndetësisë, Kostadin Angelov, transmeton AFP.

Ministri Angelov konfirmoi se janë lehtësuar masat, ku përfshihet rihapja e restoranteve, kafeneve, kinemave, teatrove, pishinave si dhe objekteve të tjera rekreative, të cilat do të lejohen të operojnë me 30 për qind të kapacitetit të tyre.

Ndërkaq, javën e ardhshme do të hapen çerdhet, ndërsa shkollat do të rihapen pas pushimit pranveror, më 12 prill.

“Ne duhet të gjejmë një balancë ndërmjet shëndetit fizik dhe mendor të njerëzve”, tha Angelov, teksa mbrojti vendimin për lehtësimin e masave.

Megjithatë, lehtësimi i masave është kritikuar nga stafi shëndetësor, teksa spitalet në këtë shtet janë të mbingarkuara me njerëz që po kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të koronavirusit.

Në Bullgari aktualisht të shtrirë nëpër spitale janë 10.093 pacientë me koronavirus. Ky shtet, me popullsi rreth shtatë milionë banorësh ka nivelin e infektimit prej 1.017 në 100.000 banorë.

Shefi kryesor i shëndetit, Angel Kunchev tha të enjten se niveli i infektimit është më i lartë për shkak të variantit britanik të COVID-19 dhe pacientët po kanë nevojë për trajtim mjekësor.

XS
SM
MD
LG