Ndërlidhjet

Ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje nuk janë tërhequr, thotë LDK-ja


Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se propozimi për shqyrtimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme nuk është tërhequr.

Deklarata u bë nga shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

“Ne si LDK presim që të tërhiqet ai projektligj, të merren garanci që do të kemi reformë thelbësore në aspektin e zgjedhjeve të përgjithshme sepse nuk ka emergjencë”, ka thënë Gashi.

Gashi foli para mediave, derisa Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur për të caktuar seancën e jashtëzakonshme të kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë javës së kaluar ka vendosur të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit, edhe pse është e paqartë nëse të gjithë deputetët e saj do të qëndrojnë në sallë.

Mirëpo, të premten pasi Qeveria e Kosovës paralajmëroi procedimin për shqyrtim në kuvend të ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kërkoi nga kryeministri, Albin Kurti të ndalë “shantazhin ndaj opozitës”. Ai tha nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë Kurti, qëllimshëm do ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja.

Kuvendi u mblodh të premten në mbrëmje në një seancë të jashtëzakonshme, mirëpo kërkesa për shqyrtimin me procedurë të shpejtë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kaloi pasi opozita votoi kundër.

Ndryshimet e ligjit do t'i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një deklarate për media të shtunën tha se ka marrë garancën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatës së Vetëvetëndosjes për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani se “gjithçka që ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet, do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.

Ndikimi në zgjedhjen e presidentit

Pa pjesëmarrje në votim të të gjithë deputetëve të LDK-së, Vetëvendosje do ta ketë të pamundur të zgjedhë presidentin e Kosovës.

Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila ka konfirmuar të premten se janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme dhe se për postin e presidentit kandidojnë dy persona: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Që të dy këta kandidatë ishin pjesë e Listës së Vjosa Osmanit, që në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar në kuadër të Listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe, ndërsa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër. Lista Serbe nuk është deklaruar.

XS
SM
MD
LG