Ndërlidhjet

Gashi: Të ndalet shantazhi ndaj deputetëve të LDK-së


Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se duhet të ndalen presioni dhe shantazhi ndaj deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në “veçanti ndaj deputetëve, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe Agim Veliu”.

Këta tre deputetë të shtunën nuk kanë marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës pavarësisht se ishin të pranishëm në seancë.

“Askush dhe në asnjë formë nuk guxon të ushtrojë presion dhe shantazh për bindjen e njerëzve në Kosovë dhe aq më pak ndaj deputetëve”, tha Gashi pa ofruar detaje se për cilat shantazhe dhe presione bëhet fjalë.

Ai tha se LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e së dielës për zgjedhjen e presidentit, mirëpo nëse një sjellje e tillë vazhdon “atëherë do ta rikonsiderojë qëndrimin e saj”.

Gashi e cilësoi si linçim publik një deklaratë të ushtruesës së detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila të shtunën, pasi nuk u arrit kuorumi dy herë rradhazi në votimin për zgjedhjen e presidentit, iu tha mediave se “në rast se nuk arrijmë të kemi votim të suksesshëm i bie që historia po përsëritet dhe Kosova mund të përballet me raund tjetër të zgjedhjeve parlamentare, pasi Hoti, Veliu dhe Selmanaj hezitojnë të marrin pjesë në votim”.

E pyetur në lidhje me këto akuza të Gashit, Kusari-Lila iu tha gazetarëve në Kuvendin e Kosovës, se “është e tepruar të portretizohet në atë mënyrë deklarata e saj”.

“Të gjithë ishin të vëmendshëm, pasi ata tre deputetë nuk votuan duke e bërë të pamundur zgjedhjen e presidentit”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë të dielën seancën për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Para nisjes së seancës, Kusari-Lila tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se kanë siguruar 80 votat për zgjedhjen e presidentit të vendit.

“Po janë siguruar votat”, tha Kusari-Lila.

Në këtë seancë pritet të marrë pjesë edhe deputeti nga komuniteti goran, Adem Hoxha, i cili mungoi në seancën e mbajtur ditën e shtunë.

Të shtunën, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e vendit.

Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani- Sadriu. Ndërkaq, kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Gjatë së shtunës, raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.

I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.

Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Por, tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.

Deputetët e tjerë të AAK-së, të PDK-së dhe të Listës Serbe, i bojkotuan punimet e kësaj seance.

XS
SM
MD
LG