Ndërlidhjet

Rama: Arritëm marrëveshje për 50,000 doza shtesë të vaksinës ruse


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë të hënën se autoritetet shqiptare kanë arritur marrëveshje për të dërguar në Shqipëri 50,000 doza shtesë të vaksinës ruse kundër koronavirusit Sputnik V.

“Ne do ta fitojmë këtë luftë me forcën e karakterit e të këmbënguljes sonë dhe do ta lëmë shpejt pas tunelin e pandemisë, ku drita e daljes sa vjen e zmadhohet”, ka thënë Rama në një postim në rrjetin social Facebook.

Më 28 mars të këtij viti, në Shqipëri ka nisur vaksinimi masiv kundër këtij virusi.

Rama ka thënë se është optimist që brenda muajit maj, gjysmë milioni qytetarë të Shqipërisë do të jenë të vaksinuar kundër koronavirusit.

“Do të kthehemi përsëri në jetën tonë të dëshiruar”, ka thënë ai.

Përveç vaksinave ruse, Qeveria e Shqipërisë ka siguruar 1 milion doza vaksinash kineze Sinovac kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas negociatave me një kompani turke të autorizuar për shpërndarjen e këtyre vaksinave.

Shqipëria ka filluar procesin e vaksinimit në fillim të muajit janar. Deri tani, në këtë vend janë vaksinuar 64.075 persona, ku përfshihen të moshuarit, arsimtarët dhe personeli mjekësor.

Ky shtet ka kontratë edhe me kompaninë amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 500.000 dozave të vaksinës.

Tirana zyrtare ka siguruar edhe rreth 40.000 doza të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca.

XS
SM
MD
LG