Ndërlidhjet

Kurti: “Non-papers” mund ta kenë prejardhjen në Beograd dhe Moskë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pretendon se dokumentet “non paper” të publikuara në ditët e fundit nga mediat në Ballkan, mund ta kenë prejardhjen nga Beogradi dhe Moska.

“Nuk besoj që autorët e këtyre janë kryeqytetet perëndimore, sigurisht që jo SHBA-ja dhe as ato evropiane. Besoj që kjo vjen nga Beogradi dhe verilindja. Është interes i Federatës Ruse ta përdor Ballkanin Perëndimor për të sulmuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, tha Kurti në një intervistë për një grup gazetarësh të cilët po e përcjellin vizitën e tij në Bruksel.

Që nga mesi i muajit prill e deri më tash, në media janë publikuar dy të ashtuquajtur “non-paper”, si dokumente të pretenduara, në të cilat flitet për qasje të ndryshme për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi. “Non-paperi” i parë, i publikuar më 15 prill, pretendohet të jetë i kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, i dërguar për Këshillin e Evropës. Ai përmban propozimin e supozuar për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Jansha, por edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Më 27 prill, në disa media në Kosovë është publikuar një “non-paper” tjetër, i cili është pretenduar të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca dhe i cili flet për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paperit” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca.

I pyetur lidhur me këto dokumente, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ai nuk punon me 'non paper' dhe i quajti dokumente fantazmë.

Borrell këto komente i bëri të enjten pas takimit me kryeministrin e Kosovws, Albin Kurti në Bruksel.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 27 prill se “non-paper” i publikuar nga mediat në Prishtinë, e ka bërë dikush që është “shumë shumë i mençur”.

“Ka gjëra të cilat do iu kishin pëlqyer serbëve, por aty është edhe një gjë, të pranohet pavarësia e Kosovës, e që është shumë e keqe për serbët”, ka deklaruar Vuçiq gjatë një vizitë në jug të Serbisë.

Ai po ashtu shtoi se publikimi nuk është bërë pa arsye. Vuçiq tha se do t’i analizojë porositë për palën serbe dhe palën tjetër, por shtoi se për Serbinë është e papranueshme njohja e pavarësisë së Kosovës.

Çfarë është “non-paper”?

Në gjuhën e institucioneve evropiane, “non-paper" është dokument joformal, zakonisht pa theksim të qartë, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që të kërkohet marrëveshja për ndonjë çështje të kontestuar procedurale ose politike.

“Non-paper” është formë e zakonshme komunikimi e një ose më shumë anëtareve të BE-së rreth një çështjeje të caktuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG