Ndërlidhjet

Gjermania: “Non-paper” për Kosovën nuk është i vërtetë


Flamuri i Gjermanisë dhe Francës, fotografi nga arkivi.
Flamuri i Gjermanisë dhe Francës, fotografi nga arkivi.

Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paperit” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca. Ky dokument, u publikua nga disa media në Kosovë, flet për themelimin e të ashtuquajturit "distriktit autonom të Kosovës së Veriut" dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky dokument nuk është i vërtetë dhe nuk reflekton në asnjë mënyrë pozicionet e Gjermanisë dhe Francës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ambasada gjermane tha se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak e ka mbështetjen e plotë të Berlinit zyrtar dhe se Gjermania dëshiron që i gjithë Ballkani Perëndimor të lëvizë drejt BE-së.

“Gjermania dhe Franca mbështetësin ndihmën për Ballkanin Perëndimor që të bëjë përparim drejt BE-së, së bashku me një bashkëpunim më të fuqishëm në rajon. Një instrument i rëndësishëm për këtë bashkëpunim është Procesi i Berlinit, që është iniciuar nga Qeveria gjermane më 2014”, tha Ambasada gjermane për REL.

Ndërkaq, në Qeverinë e Kosovës, kanë refuzuar të komentojnë informacionet që përmban një “non-paper” i ri.

"Non-paper", është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

Gazeta "Koha Ditore" e publikoi këtë dokument, i cili u tha se është përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si një inciativë e tyre për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.

"Koha Ditore" shkruan se nuk ka mundur që ta konfirmojë autenticitetin e këtij dokumenti, "por disa diplomatë me të cilët ka kontaktuar KOHA, pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog".

Ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë, edhe më herët gjatë së martës kanë thënë se këto dy shtete nuk qëndrojnë prapa këtij dokumenti.

“Edhe Ambasada gjermane dhe Ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument duke e demantuar dhe u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t'i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, më herët gjatë ditës, ka thënë “non-paper” i publikuar nga “Koha Ditore” është “fake news”.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Rohde ka thënë se mund të ketë dokument, por se nuk është franko-gjerman, derisa ka shtuar se e përkrahin dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Miroslav Lajçak.

“I ashtuquajturi ‘non-paper’ franko-gjerman, i publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajçak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, (Heiko) Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Po ashtu në Twitter, Ambasada franceze ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non-paper” dhe se dy shtetet mbështesin ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.

“Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i të ashtuquajturin ‘non-paper’ franko-gjerman të botuar sot në Koha Ditore. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga përfaqësuesi special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”, thuhet në reagim.

Kryeredaktori i "Kohës Ditore", Agron Bajrami, i është përgjigjur postimit në Twitter të ambasadorit gjerman, Rohde, duke thënë se "siç kemi thënë në artikull, supozohet se (dokumenti) është gjermano-francez... por, pikat që përshkruhen në këtë 'non-paper', fliten brenda dialogut të udhëhequr nga BE-ja".

Vuçiq: Këtë "non-paper" e ka shkruar dikush që është shumë i zgjuar

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 27 prill se “non-paper” i publikuar nga mediat në Prishtinë, e ka bërë dikush që është “shumë shumë i mençur”.

“Ka gjëra të cilat do iu kishin pëlqyer serbëve, por aty është edhe një gjë, të pranohet pavarësia e Kosovës, e që është shumë e keqe për serbët”, ka deklaruar Vuçiq gjatë një vizitë në jug të Serbisë.

Ai po ashtu shtoi se Beogradit nuk ia ka dorëzuar këtë dokument.

“Po shoh që të gjithë janë duke e demantuar, por më shumë shqetësime kam pasur me ‘non-paper’ të mëhershëm (i publikuar nga Qeveria sllovene) sepse këtë e ka shkruar dikush që është shumë i zgjuar”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se dyshon në një person si autore, por të cilën nuk e ka emëruar.

“Bëhet fjalë për një grua shumë të mençur sepse askush tjetër nuk do të mund të përpilonte atë”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu shtoi se publikimi nuk është bërë pa arsye. Vuçiq tha se do t’i analizojë porositë për palën serbe dhe palën tjetër, por shtoi se për Serbinë është e papranueshme njohja e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë dokument thuhet se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes ligjërisht obliguese, obligohet se “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.

GLPS: Autonomia e veriut të Kosovës, e ngjashme me ‘Republika Srpska’

Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë (GLPS), thonë se pikat e dokumentit “non-paper”, janë të shumë të dëmshme për Kosovën. Megjithatë, Arbër Fetahu nga kjo organizatë, tha për Radion Evropa e Lirë se ky dokument duhet të shihet me rezervë, për shkak se ende nuk dihet se kush është autor i tij.

“Pika kyçe, e cila është problematike në këtë dokument, është pjesa ku i jepet autonomi substanciale komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ky model është i ngjashëm me ‘Republika Srpskan’ në Bosnje dhe Hercegovinë, që pa diskutim e minon substancën e Kosovës, rendin kushtetues të saj dhe shkakton një jofunksionalitet të brendshëm të Republikës”, tha Fetahu.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, pavarësisht këtyre dokumenteve, duhet të jetë e përgatitur që ta ketë një pozicion të qartë dialogues dhe të japë alternativa kundrejt skenarëve që u ofrohen në tavolinë.

“Idetë e tilla jo vetëm që janë të rrezikshme dhe nuk duhet të pranohen nga pala kosovare për diskutim, këto janë shqetësuese nëse në mënyrë hipotetike mund të vijnë edhe nga Perëndimi, për shkak se skenarë të tillë vetëm e thellojnë krizën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Fetahu.

"Non-paper" për ricaktimin e kufijve

Më herët gjatë prillit, mediat sllovene publikuan një dokument “non-paper”, që u tha se kryeministri slloven, Janez Jansha, i ka dërguar Këshillit Evropian. Në këtë dokument flitej lidhur me propozimin e supozuar të Janshës për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.

Sipas përmbajtjes që u publikua në media, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ka deklaruar se “spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme”.

Çfarë është “non-paper”?

Në gjuhën e institucioneve evropiane, “non-paper" është dokument joformal, zakonisht pa theksim të qartë, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që të kërkohet marrëveshja për ndonjë çështje të kontestuar procedurale ose politike.

“Non-paper” është formë e zakonshme komunikimi e një ose më shumë anëtareve të BE-së rreth një çështjeje të caktuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG