Ndërlidhjet

Borrell dhe Kurti: Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi, në qershor


Kurti thotë se dialogu fillon në qershor
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:55 0:00

Kurti thotë se dialogu fillon në qershor

Rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë para fundit të qershorit, tha Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor. Ai tha se dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Prishtinës, mirëpo siç tha ai, ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.

“Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në maj dhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, tha Kurti.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë dhe se rruga e saj evropiane kalon përmes këtij dialogu.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropiane. Në të kundërtën, rruga do të jetë e bllokuar”, tha Borrell pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk do të jetë e lehtë, por për përfitimin e njerëzve në Kosovë dhe Serbi dhe në rajon duhet që ky proces të vazhdojë shumë shpejt”, tha Borrell.

Kurti po qëndron në Bruksel në një vizitë dyditore, ku po zhvillon takime me drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së.

Një ditë më parë, ai u tha gazetarëve në Bruksel se nuk do të merrte pjesë në takimin më 11 maj si pjesë e vazhdimit të dialogut me Serbinë. Takimi u njoftua fillimisht nga Borrel, gjatë vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel këtë javë.

Kurti: Nuk marr pjesë në takimin e 11 majit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:21 0:00

Më parë, Kurti u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se NATO mbështet përpjekjet për të rifilluar dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Një deklaratë e NATO-s tha se Stoltenberg theksoi se dialogu mbetet "mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor".

Gjatë ditës Kurti është takuar edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kurti takohet me presidenten e Komisionit Evropian
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:38 0:00

Kurti në vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se është zgjedhur kryeministër i Kosovës, po ashtu ka marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Të mërkurën, delegacioni i Kosovës, që përbëhet nga Kurti dhe dy zëvendësit e tij, Donika Gërvalla dhe Besnik Bislimi, kanë takuar komisionarë të BE-së për çështje ekonomike, energji, bujqësi, zhvillim rural dhe financa, ndërkaq gjatë ditës së sotme, takimet do të jenë më shumë të karakterit politik.

Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe siç njoftoi Qeveria e Kosovës, në këtë takim, Kurti ka thënë se dialogu do të jetë parimor dhe i përgatitur mirë.

“Bisedime konstruktive me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. E kam ripohuar se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin e të vërtetën, të jetë i barabartë dhe t’u adresohet çështjeve të pazgjidhura, e jo të krijojë çështje të reja”, ka shkruar Kurti në Twitter pas atij takimi.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë.

Bashkimi Evropian synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet mes dy vendeve.

Pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt.

Njohësit e zhvillimeve politike, në Prishtinë dhe në Beograd, Jehona Lushaku-Sadriu dhe Dushan Janjiq, kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me vazhdimin eventual të dialogut dhe nëse do të ketë qasje serioze të të gjitha palëve dhe faktorëve të përfshirë në këtë proces.

Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkësia ndërkombëtare, në krye me BE-në dhe SHBA-në, është duke kërkuar në mënyrë të qartë nga Kosova dhe Serbia që të vazhdojnë dialogun dhe që ai të thellohet në kuptimin politik.

“Mesazhi është i qartë, ikje nuk mund të ketë. Mund të ketë vetëm përgatitje nga të dyja palët për këtë dialog, që të adresojnë kërkesat e tyre se çka të diskutohet dhe cilat janë versionet më të pranueshme. Në anën tjetër, ajo çka po qarkullon si ‘non-paper’ është një lloj hapjeje e mundësive të diskutimit përtej asaj që është diskutuar deri më tani, me qëllim që të krijohet një atmosferë për atë se cila do të jetë zgjidhja finale dhe të jetë pak a shumë e pranueshme për qytetarët”, theksoi Lushaku-Sadriu.

Por, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, e sheh ndryshe situatën.

Siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, pas vitit 2014, dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar me ritëm të çuditshëm, ku ka pasur ndërprerje dhe rinisje të vazhdueshme.

Sipas tij, është mjaft legjitime të shtrohet pyetja se a duhet ringjallur dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve apo duhet nisur një proces të një forme tjetër. Por, zgjidhja e dytë sipas tij do të paraqiste humbje për Bashkimin Evropian. Aktualisht, siç thotë ai, ekziston faza kur po krijohet një lloj iluzioni se po punohet diçka lidhur me dialogun dhe një marrëveshje përfundimtare. Në funksion të kësaj, siç thekson Janjiq, janë edhe të dy dokumentet e pretenduara si “non-paper”, të cilat, siç vlerëson ai, vijnë nga qarqe tepër të kontrolluara dhe fundja, të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe që shërbejnë që të tregohet se kinse po punohet diçka. Por, sipas tij, dialog serioz nuk pritet të ketë së shpejti.

Që nga mesi i muajit prill e deri më tash, në media janë publikuar dy të ashtuquajtur “non-paper”, si dokumente të pretenduara, në të cilat flitet për qasje të ndryshme për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi. “Non-paperi” i parë, i publikuar më 15 prill, pretendohet të jetë i kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, i dërguar për Këshillin e Evropës. Ai përmban propozimin e supozuar për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Jansha, por edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Më 27 prill, në disa media në Kosovë është publikuar një “non-paper” tjetër, i cili është pretenduar të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca dhe i cili flet për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paperit” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca.

I pyetur lidhur me këto dokumente, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ai nuk punoj me 'non paper' dhe i quajti dokumente fantazmë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG