Ndërlidhjet

Diplomatët flasin për përparim në bisedimet me Iranin


Zëvendësministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi arrin për bisedimet me fuqitë botërore në Vjenë më 19 maj.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi arrin për bisedimet me fuqitë botërore në Vjenë më 19 maj.

Zyrtarë të lartë të disa vendeve kanë thënë se është shënuar përparim në bisedimet për të ringjallur paktin e vitit 2015 të fuqive botërore me Iranin dhe për të bindur Shtetet e Bashkuara të ribashkohen me marrëveshjen historike.

Një raund i ri i diskutimeve është zhvilluar më 19 maj në Vjenë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se janë shënuar "rezultate konkrete" në bisedime, duke shtuar se qëllimi kyç mbetet që në dy javët e ardhshme të krijohen kushtet që SHBA-ja të kthehet në marrëveshje.

Ai nuk dha detaje se, në cilat drejtime ishte shënuar përparimi.

Enrique Mora, zyrtari i BE-së që merr pjesë në bisedime, tha se ai ishte "mjaft i sigurt" se një marrëveshje do të arrihej ndërsa i dërguari rus, Mikhail Ulyanov, tha në Twitter se, shpresonte që në javën e ardhshme të zhvillohet raundi i fundit i bisedimeve.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një delegacion Vjenë dhe zyrtarët e vendeve tjera po konsultohen me diplomatët amerikanë dhe ata të Iranit përmes takimeve të ndara.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja në vitin 2018.

Vendimin e kishte marrë ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili pati thënë se marrëveshja ishte e keqe dhe i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore. SHBA-ja vendosi sanksione shkatërruese ndaj Teheranit.

Si kundërpërgjigje, Irani filloi me shkeljen e marrëveshjes dhe pasurimin e uraniumit.

SHBA-ja nën udhëheqjen e presidentit, Joe Biden ka shprehur gatishmëri për një zgjidhje diplomatike mirëpo ka kërkuar që Irani fillimisht të zbatojë kushtet e marrëveshjes.

Teherani, në anën tjetër, kërkon shfuqizimin e sanksioneve amerikane.

Teherani gjithashtu ka nxitur palët e mbetura në marrëveshje - Francën, Britaninë e Madhe, Rusinë dhe Kinën për lehtësime ekonomike.

XS
SM
MD
LG