Ndërlidhjet

IKSHPK: 44 të infektuar dhe 152 të shëruar nga COVID-19


Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë njoftuan se të mërkurën nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 44 raste të reja me koronavirus. Rezultatet janë nga 2.840 mostra të testuara. Pra, 1.5 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.

Sipas njoftimi, nga sëmundja COVID-19 janë shëruar edhe 152 pacientë ndërsa raste aktive janë 3.195.

Që prej paraqitjes së rasteve të para me koronavirus, në mars të vitit 2020, Kosova ka regjistruar në total 107.313 raste me COVID-19. Numri i rasteve që kanë përfunduar me fatalitet është 2.241, ndërkaq, 101.877 pacientë janë shëruar.

Lehtësimi i masave

Më herët, Asociacioni i Komunave të Kosovës, thotë se gjatë një takimi virutal, të mbajtur të mërkurën me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, është thënë se do të lehtësohen masat kundër pandemisë, përfshirë edhe heqjen e kufizimit të lëvizjes.

“Në këtë takim u tha se së shpejti do të hiqet ora policore dhe do të lejohen ahengjet me fillim në sezonit të verës kur do të vijnë edhe mërgimtarët. Kjo u mirëprit nga Kryetarët e Komunave të cilët vlerësuan të drejtë kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës ditë më parë për heqjen e orës policore dhe lehtësimin e masave meqë këto do të kenë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik lokal”, tha ky Asociacion përmes një postimi në Facebook.

Asociacioni i Komunave të Kosovës tha se vendimi për lehtësimin e masës së kufizimit do të merret brenda kësaj jave, ndërkaq nga mesi i qershorit, autoritetet do të vendosin lidhur me masat lidhur me mbajtjen e ahengjeve.

“Pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 23:00 ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori”, tha Asociacioni.

Gjatë këtij takimi, sipas Asociacionit, ministria Vitia i ka informuar se të premten, më 28 maj, në Kosovë do të arrijnë 100 mijë doza të vaksinës dhe do të nisë vaksinimi në masë i qytetarëve.

XS
SM
MD
LG