Ndërlidhjet

Këshilli i Atlantikut të V. dënon veprimin bjellorus me aeroplanin civil


Flamuri i NATO-s.
Flamuri i NATO-s.

Këshilli i Atlantikut të Veriut ka dënuar fuqishëm devijimin e aeroplanit dhe uljen e tij të detyruar në Minsk të Bjellorusisë, duke e quajtur veprimin si shkelje të rregullave të aviacionit civil dhe rrezikim të jetës së pasagjerëve.

Më 23 maj, Bjellorusia e detyroi një fluturim të Ryanair të devijojë fluturimin nga Greqia për në Lituani dhe të ulet në kryeqytetin Minsk. Pastaj, policia bjelloruse arrestoi gazetarin dhe aktivistin e opozitës, Raman Pratasevich dhe të dashurën e tij, Sofia Sapega.

Përmes një deklarate, Këshilli i Atlantikut të Veriut mbështet thirrjet për një hetim urgjent dhe të pavarur të incidentit si dhe përkrah masat që kanë ndërmarrë vendet anëtare të NATO-s si përgjigje ndaj veprimit bjellorus.

“Bjellorusia duhet të lirojë menjëherë dhe pa kushte Pratasevich dhe Sapegan. Aleatët e NATO-s i bëjnë thirrje Bjellorusisë që të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe t'i përmbahet rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, thuhet në deklaratë.

Këshilli i Atlantikut të Veriut është organi kryesor vendimmarrës politik i NATO-s.

Më herët ish-kolegët e gazetarit të arrestuar në Bjellorusi Roman Protasevich kanë thënë se shqetësohen për jetën e tij.

“Roman është më në rrezik sesa secili i burgosur tjetër politik në Bjellorusi”, ka thënë Stephan Putsila për BBC-në.

Protasevich ka thënë se frikësohet për dënim me vdekje pasi është futur në listën për terrorizëm.

Ai përballet me akuza të lidhura për raportimin e tij rreth zgjedhjeve të diskutueshme në Bjellorusi në gusht të vitit të kaluar, dhe për shtypjen e protestave masive opozitare atje.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG