Ndërlidhjet

Biden: Do t'i them Putinit se nuk lejojmë shkeljen e të drejtave të njeriut


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai amerikan, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se do t'i bëjë trysni presidentit të Rusisë, Vladimir Putin që të respektojë të drejtat e njeriut.

Dy liderët do të takohen më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

Bisedimet e nivelit më të lartë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të zhvillohen në kohën kur tensionet mes dy vendeve kanë shënuar përshkallëzim.

"Unë do të takohem me Putinin dhe do t'ia bëj të qartë se ne nuk do të tolerojmë shkeljen e këtyre të drejtave nga ai", tha Biden gjatë një fjalimi për nder të Ditës së Përkujtimit në SHBA-së më 30 maj.

Më 28 maj Shtëpia e Bardhë tha se takimi pritet të mbahet pavarësisht se kompania Microsoft njoftoi se ka zbuluar një sulm kibernetik ndaj agjencive qeveritare të SHBA-së nga një grup hakerësh me bazë në Rusi.

Kremlini ka thënë se nuk ka informacion në lidhje me sulmin.

Në muajin mars, Biden tha se ai besonte se Putini ishte një "vrasës", gjë që nxiti një grindje diplomatike mes dy vendeve. Moska e pati thirrur për konsultime ambasadorin e saj në Uashington.

Shtëpia e Bardhë tha se gjatë samitit Biden ka në plan të diskutojë për situatën në Ukrainë. Rusia aneksoi rajonin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe separatistët e mbështetur nga Rusia morën kontrollin e një pjese të Ukrainës lindore po atë vit.

Administrata e Biden gjithashtu ka kritikuar Rusinë për arrestimin dhe burgosjen e liderit të opozitës Aleksei Navalny.

XS
SM
MD
LG