Ndërlidhjet

Hungaria kritikohet se po minon politikën e jashtme të BE-së


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Gjermania ka drejtuar kritika ndaj Hungarisë për pengesat që Budapesti po vendos në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Hungaria ka bllokuar dy deklarata të BE-së, njërën për Hong Kongun dhe tjetrën për Lindjen e Mesme.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, tha se politika e jashtme dhe e sigurisë e bllokut po minohet nga dështimi i unitetit.

“Tre javë më parë Hungaria e bllokoi një deklaratë për Lindjen e Mesme. Pastaj ka bllokuar një deklaratë për Hong Kongun. Politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë (e BE-së v.j) nuk mund të funksionojë mbi bazën e qëndrimeve bllokuese”, tha Berger.

Sipas zyrtarit të lartë gjerman, BE-ja ka nevojë për një “debat serioz në lidhje me mospajtimet brenda bllokut, duke përfshirë edhe rishikimin e votimit të shumicës së kualifikuar”.

Në muajin prill, Hungaria bllokoi një deklaratë e cila kishte për qëllim që të kritikojë Kinën për miratimin e ligjit të sigurisë kombëtarë në Hong Kong. Bllokimi i kësaj deklarate pamundësoi përpjekjet e bllokut për të dënuar shkeljen e lirive dhe të drejtave në Hong Kong, një ish-koloni britanike.

Në maj, Budapesti nuk pranoi të mbështeste thirrjet për një armëpushim në konfliktin midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza.

Në Bashkimin Evropian është në rritje zhgënjimi ndaj qeverisë së kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, i cili në vazhdimësi është përballur me akuza për kthim prapa të demokracisë në vendin e tij.

XS
SM
MD
LG