Ndërlidhjet

Perëndimi me plan rival ndaj Kinës


Liderët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Japonisë në samitin e G7-ës në Mbretërinë e Bashkuar.
Liderët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Japonisë në samitin e G7-ës në Mbretërinë e Bashkuar.

Në përpjekje për t’iu kundërvënë Kinës, grupi i shtatë vendeve më të pasura, i njohur si G7 ka rënë dakord për një plan të investimeve në infrastrukturë në vendet në zhvillim. Zyrtarët amerikanë thonë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me përballjen me Kinën, por me paraqitjen e një alternative pozitive për botën.

Samiti i G7-ës po mbahet në Britani të Madhe dhe do të zgjasë deri të dielën, më 13 qershor.

Ai mbledh së bashku udhëheqësit e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Japonisë.

Skema "Një Rrugë një Brez” e Kinës, e inicuar më 2013, përfshin nisma zhvillimi dhe investimesh që do të shtrihen nga Azia në Evropë dhe më gjerë. Projekti është kritikuar pasi ka zhytur në borgje shumë vende. Plani parasheh investime dhe huadhënie në miliarda dollarë për vendet në zhvillim.

Demokracitë perëndimore, para së gjithash, Shtetet e Bashkuara duan t’i kundërvihen kësaj nisme.

Presidenti, Joe Biden, ka thënë se ai dëshiron që plani i njohur si "Build Back Better World" (B3W) të jetë një alternativë me cilësi më të lartë se projekti kinez.

Nuk është ende e qartë se si do të financohen projektet nga plani i G7-ës.

SHBA-ja ka qenë kritike ndaj të ashtuquajturës "diplomaci e borxhit" e Kinës.

SHBA-ja dhe aleatët e saj akuzojnë Kinën edhe për shkelje të të drejtave të njeriut në Ksinjiang të Kinës.

Në fillim të këtij viti SHBA-ja, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja vendosën sanksione të koordinuara ndaj Kinës.

Sanksionet, përfshirë ndalimet e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve, shënjestruan zyrtarë të lartë në Ksinjiang të cilët janë akuzuar për shkelje serioze të të drejtave të njeriut kundër myslimanëve ujgurë.

Më shumë se një milion ujgurë dhe pakica të tjera vlerësohet se janë arrestuar dhe mbahen në kampe në provincën veri-perëndimore kineze.

Qeveria kineze është akuzuar për kryerjen e sterilizimeve të detyruara mbi gratë ujgure dhe ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre.

Udhëheqësit e G7-ës do të angazhohen gjithashtu për një plan të ri për të ndaluar pandemitë e ardhshme.

Masat përfshijnë shkurtimin e kohës së nevojshme për zhvillimin e vaksinave dhe trajtimeve në nën 100 ditë.

Është paralajmëruar se liderët e grupit do të zotohen për shpërndarjen e një miliard vaksinave kundër koronavirusit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se qëllimi i masave është "të sigurohemi se kurrë më nuk do të zihemi në befasi".

Takimi i G7-ës përfundon të dielën.

Kjo është vizita e parë e presidentit Biden jasht vendit. Pas samitit ai do të udhëtojë në Bruksel për takime me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Të mërkurën (16 qershor) ai do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG