Ndërlidhjet

Senatorët amerikanë arrijnë marrëveshje për investimet në infrastrukturë


Flamuj amerikanë pranë ndërtesës së Kongresit në SHBA.
Flamuj amerikanë pranë ndërtesës së Kongresit në SHBA.

Pasi arritën një marrëveshje "kornizë" të një projekt-ligji të shpenzimeve për infrastrukturë, një grup senatorësh republikanë dhe demokratë do të zhvillojnë bisedime me presidentin amerikan, Joe Biden, më 24 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

"Ne arritëm një marrëveshje për një plan, por do ta përfundojmë atë nesër", tha senatori demokrat, Joe Manchin.

Presidenti Biden e ka vënë si prioritet kryesor ndërtimin e rrugëve, urave dhe infrastrukturës tjetër pasi, sipas tij, kjo do të ndihmonte në rritjen ekonomike derisa vendi po del nga pandemia e COVID-19.

Biden ka kërkuar triliona dollarë investime në infrastrukturë si dhe për të ashtuquajturën "ekonomi të kujdesit" që përfshinë qendrat e kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe spitalet.

Në fillim propozimi ishte për ndarjen e rreth 2.3 trilionë dollarëve. Mirëpo, republikanët e kundërshtuan pjesën e investimeve në infrastrukturën e objekteve të kujdesit.

Grupi i ligjvënësve republikanë dhe demokratë kanë punuar për një plan më të vogël tetë-vjeçar të infrastrukturës në vlerë 1.2 trilion dollarë.

Shtëpia e Bardhë tha se një takim midis senatorëve dhe zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë kishte qenë produktiv.

"Grupi bëri përparim drejt një marrëveshjeje të mundshme dhe presidenti i ka ftuar të vijnë nesër në Shtëpinë e Bardhë për ta diskutuar atë personalisht", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Çështja më e diskutueshme ka qenë ajo e mënyrës së pagesës për investimet.

Senatorët nuk pranuan të zbulojnë detajet e marrëveshjes, por theksuan se grupi kishte rënë dakord jo vetëm për nivelet e shpenzimeve, por edhe për mënyrën e pagesës së saj.

XS
SM
MD
LG