Ndërlidhjet

Një ushtar armen vritet në kufirin me Azerbajxhanin


Një kamp ushtarak azerbajxhanas në kufirin me Armeninë. Fotografi nga arkivi.
Një kamp ushtarak azerbajxhanas në kufirin me Armeninë. Fotografi nga arkivi.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se nga një shkëmbim zjarri në kufirin me Azerbajxhanin ka mbetur i vdekur një oficer ushtarak armen.

Tensionet mes dy vendeve mbesin të larta pas luftës së vitit të kaluar për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.

Autoritetet armene pretendojnë se ishin forcat azerbajxhanase që “provokuan” pasi provuan të bëjnë përparime në pozicionet e tyre brenda territorit armen.

Ministria armene në njoftimin e saj tha gjithashtu se një ditë më parë dyshohet se njësitë azerbajxhanese u përpoqen të hyjnë në territorin armen dhe nga përleshjet mbeti i vrarë një ushtar i Azerbajxhanit.

Në një deklaratë të veçantë, ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit pretendoi se forcat armene gjithashtu hapën zjarr mbi pozicionet në qarkun Kalbacar dhe qytetin e Suzës.

Më shumë se 6 mijë persona u vranë gjatë luftimeve të vitit të kaluar mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorno Karabakut.

Rajoni njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por që ishte kontrolluar nga armenët etnikë që në fillim të viteve 1990.

Luftimet përfunduan në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Moska, e cila i mundësoi Azerbajxhanit të kthejë në administrim një pjesë të Nagorno Karabakut.

Rreth 2 mijë paqëruajtës rusë u vendosën në rajon.

XS
SM
MD
LG