Ndërlidhjet

Misuri ekzekuton një burrë për vrasje të tre personave më 1994


Një zyrtar i një qendre korrektuese në Ohajo tregon dhomën ku kryhen ekzekutimet me injeksione vdekjeprurëse. Fotografi nga arkivi.

Ernest Johnson nga Misuri, është ekzekutuar për kryerje të vrasjeve, pavarësisht thirrjeve për falje nga avokatët që kanë thënë se ai ka paaftësi intelektuale.

Johnsonit i është injektuar substancë vdekjeprurëse, pasi Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara ka refuzuar të shtyjë procesin.

Kërkesa e 61-vjeçarit për mëshirë ka fituar mbështetje nga Papa Françesku dhe dy anëtarë të Kongresit.

Ai ka vrarë tre punëtorë në një dyqan derisa ka qenë duke kryer një vjedhje më 1994.

Avokatët e tij kanë thënë se ai nuk duhet të ndëshkohet me vdekje, pasi shumë teste për nivele të inteligjencës kanë treguar se ai ka kapacitet mendor të një fëmije dhe ende lexon në nivel të klasës së tretë.

Johnson, burrë me ngjyrë, ka lindur me një sindromë të alkoolit në fetus, pasi nëna e tij ka pirë shumë alkool gjatë kohës sa ka qenë shtatzënë.

Në një deklaratë të shkruar para vdekjes, Johnson ka kërkuar falje për krimet e kryera dhe ka falënderuar familjen, miqtë dhe avokatin për mbështetjen e ofruar.

Sipas Qendrës së Informacionit për Dënime me Vdekje, Johson është i burgosuri i parë që është ndëshkuar me vdekje prej muajit maj të 2020 në Misuri, dhe i shtati në gjithë Shtetet e Bashkuara këtë vit.

XS
SM
MD
LG