Ndërlidhjet

Tre të arrestuar për ushtrim të dhunës ndaj një të moshuare


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Policia e Kosovës ka arresutar tre persona të dyshuar për ushtrim të dhunës fizike ndaj një të moshuare dhe u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Dy gra, që fillimisht u arrestuan dyshohen se kanë kryer veprën penale "sulm", ndërkaq, personi i tretë, që u arrestua më vonë gjatë ditës, dyshohet për veprën "fotografim apo incizim i paautorizuar2.

Policia e Kosovës tha më herët gjatë 2 nëntorit identifikuar dy gra të dyshuara, pasi në rrjetet sociale më 2 nëntor qarkulloi një video-incizim, ku shihej një punëtore në një shtëpi të pleqve në Pejë, duke ushtruar dhunë ndaj një gruaje të moshuar.

“Të dyshuarat janë duke u intervistuar nga hetuesit e stacionit policor në Pejë”, u tha në njoftim.

Qendra për përkujdesjen e të moshuarve "Orenda" në Pejë tha se ka suspenduar nga puna katër infermiere, që tha se janë të përfshira në këtë rast.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një deklarate dënoi rastin, duke e quajtur "tronditës, të papranueshëm dhe të patolerueshëm".

"Mekanizmat kompetentë duhet t'i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit. E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme. Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme", u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Osmanit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se menaxhmenti i shtëpisë së pleqve duhet të japë llogari për keqtrajtimin e gruas së moshuar. Ajo kërkoi nga qytetarët që të raportojnë tek autoritetet në rast se dyshojnë për keqtrajtim të familjarëve të tyre që gjenden në shtëpi të pleqve.

“Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen”, shkroi ajo në Facebook.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, kërkoi që të përfshirët në këtë rast të dalin para drejtësisë.

“Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Sveçlës, hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG