Ndërlidhjet

Koalicionet e shqiptarëve, vetëm pas zgjedhjeve


Shkup
Shkup
Analistët politikë, sektori civil, intelektualë të pavarur si dhe zyrtarë të lartë të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare sugjerojnë udhëheqësit politikë në Maqedoni se me formimin e një blloku të përbashkët parazgjedhor mes partive politike shqiptare, do të rritej numri i deputetëve, si dhe dukshëm ky veprim i përbashkët do të kontribuonte në avancimin e kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë.


Partia më e madhe shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizon se është e hapur të bashkëpunojë me të gjithë ata, që besojnë se platforma politike rreth së cilës duhet të bashkohen partitë politike shqiptare, është Marrëveshja e Ohrit.

“Do të përpiqemi që të realizohet ideja e unifikimit të faktorit politik shqiptar, nëse nuk arrihet të bëhet ky unifikim i tërësishëm mes partive politike shqiptare, atëherë do të përpiqemi që sa më shumë parti të përfshihen në këtë unifikim të partive politike, duke u paraqitur njëherësh dhe si faktor karshi palës maqedonase”.

"Faktorizimi i bllokut politik shqiptar kryesisht nënkupton implementimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit gjithsesi dhe shpërndarjen proporcionale të pushtetit”
, thekson nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhit.

Nga ana tjetër, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, është shprehur kundër ndarjeve midis spektrit politik shqiptar, duke nënvizuar se pas përfundimit të zgjedhjeve është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike duke theksuar se nuk do të bëjë koalicion vetëm me partinë, e cila ka brenda ish-bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të UDB-së.

“Apeli ynë dhe oferta jonë dhe e imja ka qenë që PDSH-ja të fitojë legjitimitetin e shqiptarëve dhe më pastaj do t’u ofrojë të gjitha forcave politike shqiptare koalicion në lidhje me platformën dhe ndarja e pushtetit do të jetë proporcionale përveç atyre njerëzve që janë të implikuar në shërbimet sekrete jugosllave dhe serbe, më të cilët nuk ka pse të bashkëpunojmë. Do të ishte lajm shumë i mirë, i shkëlqyeshëm që PDSH-ja vetë të fitojë legjitimitetin e plotë, se pastaj nuk do të mund ta kushtëzojë askush prej forcave më të vogla politike për vende apo për funksione. Po nuk është lajm i keq, është lajm shumë i mirë se edhe opozita shqiptare ta fitojë pushtetin dhe kjo është mirë”, shprehet lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Nga ana tjetër, Xhezair Shaqiri, i njohur si ish-komandant Hoxha në zonën e Tanushës, ku filluan për herë të parë luftimet gjatë vitit 2001, vlerëson se është më se i nevojshëm veprimi i lëvizjes së shqiptarëve të Maqedonisë, si një trup i përbashkët për t`u dhënë fund politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve.

“Duhet më në fund të bëhet një platforme unike, ku forcat e partive politike do të bashkohen në një lëvizje shqiptare që me dinjitet t’i mbrojnë të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë karshi sulmeve të njëpasnjëshme aktualisht të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe marrë në përgjithësi nga të gjithë sllavo-maqedonasit. Realizimi me sukses i kësaj ideje kuptohet se mbetet nën ndërgjegjen e dy partive më të mëdha shqiptare se a mbeten edhe më tej në mbrojtje të kolltukëve dhe interesave të ngushta ose do ta pranojnë idenë për krijimin e lëvizjes shqiptare në formimin e sipërm”
, thotë ish-komandant Hoxha.

Ndryshe, edhe kryetari i subjektit më të ri politik, RDK-së, Rufi Osmani, ka shpalosur idenë për mundësinë e koalicioneve, por vetëm pasi të kenë përfunduar zgjedhjet, që shqiptarët më lehtë të mund t’i realizojnë platformat e tyre politike, të cilat, sipas tij, janë në vijë të avancimit të të drejtave të shqiptarëve.
XS
SM
MD
LG