Ndërlidhjet

WP: A u shërben interesave amerikane tërheqja nga Libia?



Të hënën administrata Obama ka arritur një prej qëllimeve kryesore të presidentit në Libi: tërheqjen e aeroplanëve të Shteteve të Bashkuara nga lufta kundër Muamer Gadafit.

Në fjalimin e tij javën e kaluar, duke e shpjeguar vendimin e tij për mbështetjen e një fushate ajrore, zoti Obama kishte thënë se pasi kishin udhëhequr sulmet fillestare, forcat e Shteteve të Bashkuara do t’i kthehen “rolit mbështetës”.

Në praktikë kjo do të thotë ulje e aeroplanëve luftarakë, që i kishin sulmuar tanket, kamionët dhe artilerinë e Gadafit.

Tërheqja e pazakonshme e udhëheqjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara, ka shërbyer për ta zbatuar sërish strategjinë e zotit Obama, për uljen e profilit amerikan në Lindjen e Mesme dhe për ndarjen e ngarkesës së operacioneve, siç është Libia.

Shtrohet çështja se nëse po avancojnë në mënyrë më të prekshme synimet amerikane në Libi, që sipas zotit Obama, janë mbrojtja e civilëve?!

Rezultatet e para nuk janë inkurajuese. Të martën forcat e kryengritësve edhe një herë janë sprapsur nga linja e parë e frontit në pjesën lindore të Libisë, nga raketat dhe zjarri artilerik.

Agjencia Rojters ka cituar luftëtarët opozitarë, që kanë thënë se mbështetja ajrore është zvogëluar në mënyrë të theksuar. Kjo është bërë pas deklaratave të së hënës nga drejtori i politikës së jashtme të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Ali al-Esaui, që lufton kundër Gadafit.

Ai është cituar nga e përditshmja Nju Jork Tajms, të ketë thënë se prej se NATO-ja e mori komandën e operacioneve ajrore gjatë fundjavës, “ka pasur vonesë në veprim dhe mungesë të përgjigjes ndaj asaj që po ndodh në terren”.

Rezultatet e këtilla do të ishin vetëm logjike. Asnjë vend tjetër i NATO-s nuk ka dhënë aeroplanë me efektivitet si ata amerikanë, që janë të planifikuar për sulme ajër-tokë në caqe siç janë tanket.

Komanda e NATO-s nënkupton më tepër mnospajtime lidhur me atë se sa intensive do të jenë sulmet ajrore kundër forcave të Gadafit. Anëtarët, siç është Turqia, i kanë kundërshtuar sulmet e rrezes së gjerë.

Në NATO thonë se 30 për qind e forcave tokësore të regjimit, ishin shkatërruar. Por, kjo nuk është as afër dëmit të mjaftueshëm për ta mbyllur rrugën pa krye ushtarake.

Zoti Obama ka thënë se synim i fushatës nuk është ndryshimi i regjimit, i cili, sipas tij, mund të arrihet me mjete të tjera. Administrata e ka dërguar një emisar për t'u takuar me qeverinë kryengritëse në tranzicion, së bashku me ekipet e CIA-s, për të ndihmuar me komunikime dhe logjistikë tjetër.

Gjatë ditëve të kaluara ka pasur shenja inkurajuese se mbështetja për Gadafin po dobësohet, përfshirë edhe dezertimin e ministrit të tij të Jashtëm. Thuhet se aeroplanët e Shteteve të Bashkuara mbeten në gatishmëri nëse komandantët e NATO-s i thërrasin ata.

Por, rreziqet për rrugë pa krye ushtarake për Shtetet e Bashkuara, po shtohen për çdo ditë.

Sa më i madh të jetë çrregullimi në Libi, aq më të mëdha janë gjasat, që forcat ekstremiste, përfshirë edhe Al-Kaidën, t’i shtyjnë anash figurat pro-perëndimore, të cilat tash po e udhëheqin opozitën.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, kishte thënë para një muaji, se “një nga shqetësimet tona më të mëdha është që Libia të bjerë në kaos dhe të shndërrohet në Somali gjigante”.

Sa më shumë të zgjasin luftimet, aq më tepër do të dëmtohen civilët.

Zoti Obama, javën e kaluar kishte thënë se për shkak të tërheqjes së aeroplanëve të Shteteve të Bashkuara, “rreziku dhe çmimi i operacionit do të reduktohet në mënyrë të rëndësishme”. (f.b.)
XS
SM
MD
LG